Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, Yves de Kermabon tha sot se misioni i tij i njohur me emrin EULEX do të veprojë në Kosovë për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në fshatin Dobratin të komunës së Lipjanit në jug të Prishtinës, duke bërë përpjekje që banorëve serbë të këtij fshati t’u shpjegojë synimet e misionit të tij.
“EULEXI do të vendoset në tërë Kosovën për të ndihmuar dhe mbështetur institucionet e vendit”, - tha zoti de Kermabon, i bindur se misioni i tij do të shtrihet edhe në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb me gjithë mospajtimin e tyre.
Edhe Nenad Rashiq. Ministër i Punës dhe mirëqenies sociale në qeverinë e Kosovës, tha se po bëhen përpjekje për t’u shpjeguar qytetarëve serbë për Misionin e EULEX-it dhe në çfarë mënyre “do të sigurohen të drejtat fizike e juridike të serbëve si një komunitet që po kalon një periudhë mjaft të ndjeshme të zhvillimeve në Kosovë.
"Për ne përfaqësuesit serbë, mbijetesa e komunitetit serb në Kosovë nuk ka alternativë prandaj do të bëjmë gjithë çfarë është e mundur për të mbrojtur të drejtat e serbëve dhe për t’u mundësuar një jetë më të mirë në Kosovë, por jo në dëm të bashkësive tjera që jetojnë këtu”, - tha ministri Rashic.
Por banorët e fshatit nuk duket se e kanë shumë të qartë as misionin dhe as rrjedhën e procesit të vendosjes së tij në vend. Nesha Stojanovic, banor i fshatit Dobratin thotë se ka shumë gjëra që pushteti në Kosovë dhe prania ndërkombëtare mund të bëjnë për jetën e qytetarëve. Ai shprehet i trimëruar nga fjalët e zoti Yves De Kermabon dhe nuk do të kishte asgjë kundër misionit të tij.
“Nëse pranohet nga të gjithë edhe nga unë. Mendoj se do të duhej të pranohej”,- thotë ai, i vendosur siç thotë, të qëndrojë në Kosovë ku ka shtëpinë dhe pasurinë. Bashkëqytetari i tij Goran Marinkovic, thotë se nuk ka ndonjë siguri të madhe juridike për komunitetin e tij meqë policët dhe gjykatësit serbë kanë lëshuar punën.
“Sa i përket sigurisë fizike ajo është në rregull meqë nuk kemi probleme me shqiptarët, por ka një dukuri të dëmtimit të pronave dhe kjo i shqetëson banorët e fshatit”, - thotë ai.
Vendosja e EULEX-it në Kosovë është kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe Moska zyrtare e cila mbështetë Serbinë në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Shefi i këtij misioni Yves de Kermabon nuk ishte në gjendje të thotë se kur do të fillojë punën ky Mision në Kosovë, ndërsa theksoi se aktualisht po zhvillohen diskutime ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara për ri konfigurimin e pranisë civile në Kosovë.
Ky proces do të duhej të përmbyllej deri më 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Institucionet e vendit përsëritën sot se janë të përgatitura t’i marrin të gjitha përgjegjësitë pas asaj dite. Qeveria e Kosovës beson në tejkalimin e mëdyshjeve rreth pranisë civile ndërkombëtare dhe pas 15 qershorit nuk do të ketë dyfishim mandatesh.//lk