Lidhje

Paralajmërohet ngritja e strukturave komunale serbe në Kosovë


Institucionet e Kosovë shpresojnë se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës më 15 qershor do të shtrijnë autoritetin në tërë vendin. Zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar ndërkaq ngritjen e strukturave udhëheqëse nëpër komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë në dy javët e ardhshme, në bazë të rezultatit të zgjedhjet serbe të 11 majit.

Këto zgjedhje janë cilësuar të paligjshme nga autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë të cilët kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të tolerohen struktura paralele administrative. Por, analistë në Prishtinë nuk përjashtojnë mundësinë e krijimit të institucioneve serbe në Kosovë.

Analisti Driton Lajçi, thotë se Kosova sërish është para një sfide të madhe, posaçërisht në veriun e vendit që për shumë vëzhgues rrezikon të shndërrohet në të ashtuquajturin konflikt i ngrirë. “Këto janë si neglizhenca e institucioneve ndërkombëtare, sidomos UNMIK-ut, i cili në një farë mënyre në formë të heshtur e ka lejuar formimin dhe zhvillimin e institucioneve paralele në Kosovë, gjithashtu vonesat e transferit të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës dhe funksionimi i Republikës së Kosovës gjithashtu është një argument tjetër i cili e mundëson zhvillimin e institucioneve serbe në Kosovë”, thotë Driton Lajçi.

Sipas zotit Lajçi, po qe se bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës nuk do të përdorin të gjitha mjetet për të shtrirë autoritetin në gjithë territorin e Kosovës, atëherë ata duhet t’i pranojnë përfaqësuesit serbë, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ndonëse kjo është shkelje edhe e planit të zoti Martti Ahtisaari. “Serbët hyjnë me një strategji të re, nuk njohin asgjë, mirëpo me një paqartësi politike dhe me neglizhencën e institucioneve vendore ata de fakto ekzistojnë në Kosovë me një pozicion të ri. Tash, do të thotë janë para një sfide të madhe, t’i luftosh, t’i sundosh apo t’i bësh partnerë. Mendoj se kjo e treta i shkon bashkësisë ndërkombëtare meqë Kosova nuk ka fuqi as ekonomike e as të sigurisë që të përballet me asnjërën nga këto dhe je i obliguar të që të bashkëpunosh me ta, të bashkëbisedosh me ta e që do të thotë ndoshta edhe një raund i ri i negociatave me serbët lokal në Kosovë”, thotë zoti Lajçi.

Ditë më parë përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë në Kosovë dhe ata të Partisë Demokratike të Serbisë kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë lokale në veri të Mitrovicës. Autoritetet vendase e ndërkombëtare ndërkaq vazhdojnë të kundërshtojnë ç’do mundësi të krijimit të institucioneve paralele serbe në Kosovë, duke u bërë thirrje pjesëtarëve të këtij komuniteti që të jenë pjesë e institucioneve të vendit dhe rrjedhimisht edhe e procesit politikë në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG