Lidhje

Kryqi i Kuq: Çmimet e ushqimeve rëndojnë tek vendet në konflikt


Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se miliona njerëz që vuajnë për shkak të konflikteve të armatosura po goditen tani edhe nga çmimet e larta të ushqimeve. Kryqi i Kuq thotë se ka në plan ta rrisë buxhetin e tij të këtij viti në përpjekje për të siguruar që shumë nga këta njerëz të mos jenë të uritur pasi nuk mund të blejnë ushqime.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se ka në plan ta rrisë buxhetin e tij të këtij viti me gati 100 milionë dollarë, duke i çuar shpenzimet për vitin 2008 në gati një miliardë e 500 milionë dollarë. Kjo shumë, thotë Kryqi i Kuq, do ta lejojë agjencinë të japë ushqime shtesë dhe ndihma të tjera për njerëzit më të prekur si nga çmimet e ushqimeve ashtu edhe nga konfliktet e armatosura.

Presidenti i Kryqit të Kuq, Jakob Kellenberger, thotë se miliona njerëz që përpiqen të mbijetojnë nga efektet e luftës dhe dhunës në vendet e tyre, nuk janë në gjendje të përballojnë çmimet e larta të ushqimeve. Ai thotë se kjo është veçanërisht tipike në vende si Çadi, Somalia, Jemeni, Afganistani dhe Haiti.

Zoti Kellenberger thotë se këtë vit, Somalia do të jetë vendi i tretë për nga madhësia e operacioneve të Kryqit të Kuq, pas Sudanit dhe Iranit. Ai thotë se njerëzit në Somali janë veçanërisht të pambrojtur për shkak të një numri faktorësh. "Ishte konflikti i armatosur, pastaj thatësira dhe më pas çvlerësimi i monedhës vendave me 50 përqind dhe plus kësaj është rritja e çmimit të ushqimeve".

Vitin e kaluar, 45 përqind e buxhetit të Kryqit të Kuq prej gati 940 milionë dollarësh u përdor për operacionet në Afrikë dhe 21 përqind në Lindjen e Mesme. Ashtu si edhe vitin e kaluar, zona e konfliktit në Darfur të Sudanit mbetet përparësi edhe për vitin 2008.

Megjithë nivelin e lartë të pasigurisë, ai thotë se punonjësit e Kryqit të Kuq janë në gjendje të shkojnë në zonat e prekura ku agjenci të tjera ndihmash nuk janë në gjendje të shkojnë falë kontakteve të mira që kanë me fraksionet e ndryshme luftuese.

Ashtu si në të kaluarën, zoti Kellenberger thotë se Kryqi i Kuq përpiqet kryesisht të ndihmojë ata njerëz që nuk kanë shkuar në kampe për personat e zhvendosur brenda vendit, por kanë qëndruar në shtëpitë e tyre. "Vëmendja jonë është tek banorët në zonat e largëta rurale pasi duam të bëjmë maksimumin që këta persona të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos ndjejnë presionin se duhet të largohen dhe të shkojnë në kampe për të marrë ndihma".

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka operacione humanitare në 80 vende dhe territore në mbarë botën. Vitin e kaluar, agjencia dha ujë, pajisje sanitare dhe projekte ndërtimi për më shumë se 14 milionë njerëz. Qendrat e shërbimit shëndetësor të Kryqit të Kuq ndihmuan gati 3 milionë pacientë. Punonjës të Kryqit të Kuq vizituan gjithashtu më shumë se 500 mijë të burgosur në 77 vende të botës. //rd//

XS
SM
MD
LG