Një zyrtar kinez tha të premten se do të duhen deri në tre vjet për të rindërtuar zonat e shkatërruara nga tërmeti në Kinën jugperëndimore. Ai tha se numri i të vdekurve nga tërmeti i 12 majit ka arritur tashmë në më tepër se 55 mijë. Sipas zyrtarëve kinezë, rreth 30 mijë persona të tjerë ende figurojnë të zhdukur dhe Kina po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të japë më shumë tenda për njerëzit e zhvendosur.
Tërmeti me magnitudë 7,9 ka lënë më tepër se 5 milion njerëz pa strehë. Dhjetra mijëra vetë flenë në një stadium të qytetit Mianyang, në provincën Sichuan. Shumë prej të zhvendosurve janë fëmijë. Nuk kemi frikë nga katastrofa, këndojnë këta fëmijë.
Por psikologia Song Ming thotë se shumë fëmijë ende janë në gjendje shoku pas tmerrit që kanë parë me sy. "Simptomat e tyre janë frika, ankthi dhe mosbesimi. Kur ra tërmeti ishte ditë dhe disa prej tyre po flinin në klasë. Ata panë se si shembeshin shtëpitë, panë se si shokët dhe mësuesit e tyre varroseshin të gjallë nën rrënoja. Ata ndihen të trembur."
Në qytetin Beichuan, punëtorët me kostume të bardha ecin nëpër rrugët e boshatisura duke i spërkatur me dizinfektantë për të parandaluar sëmundjet. Fermerët në këtë provincë shikojnë se si ekipet e posaçme shkatërrojnë muret e mbetura të një shkolle të mesme.
Qeveria kineze thotë se ka caktuar 2 miliard dollarë për ndihmat, më se dyfishi i shumës së njoftuar më parë. Sipas zyrtarëve, donatorët e huaj kanë dhuruar 3 miliard dollarë.
Në një zonë të largët malore, ekipet e shpëtimit i mbajnë viktimat e moshuara në kurriz. Këto imazhe janë të filmuara nga televizioni shtetëror kinez kur rrugët ishin të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Të mbijetuar të tjerë tregojnë për tmerret që kanë parë. Një burrë kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja për 72 orë para se të vinin ta shpëtonin. "E kisha vënë zilen në orën 8 të mëngjesit sepse kisha një mbledhje në orën 8 e 6 minuta. Telefoni filloi të dridhet. Për shkak të qetësisë së madhe isha në gjendje ta dëgjoja shumë qartë dhe kjo më ndihmonte të numëroja ditët".
Zyrtarët kinezë thonë ndërkohë se kanë nevojë të ngutshme për më shumë se 3 milion tenda sepse shumë nga të pastrehët, si ata në stadium, vazhdojnë të flenë jashtë. //bsa//