Mjekët në Masaçusets thonë se identifikuan shkakun e goditjes konvulsive që senatori Kenedi pësoi të shtunën e kaluar: tumor malinj në anën e majtë të trurit, i cili u zbulua me anë të biopsisë.
Zoti Kenedi, i dyti senator amerikan për nga numri i mandateve në në këtë institucion dhe vëllai i vogël i ish-presidentit Xhon Kenedi, do t’u nënshtrohet analizave të mëtejshme për të mësuar më shumë rreth tumorit dhe për të përcaktuar kursin e terapisë. Tani për tani, mjekët thonë se senatori është në gjendje të mirë fizike dhe shpirtërore. Kurat e mundshme për një tumor të tillë janë rezatimi, kimoterapia dhe ndërhyrja kirurgjikale.
Reagimi ndaj njoftimit për këtë sëmundje të senatorit Kenedi ishte i menjëhershëm në mbarë vendin, përfshirë edhe spektrin politik. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Bush është ‘shumë i trishtuar’ nga ky lajm dhe se do ta ketë senatorin në lutjet e tij.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Nenci Pelosi, tha se amerikanët e pritën lajmin e diagnozës së senatorit Kenedi me ‘shumë shqetësim’.
“Jam e bindur se senatori Kenedi do ta kapërcejë këtë vështirësi, sepse ai gjatë gjithë jetës së tij ka qënë një luftëtar. Ai lufton për të mirën e fëmijëve tanë; për të mirën e punëtorëve dhe të moshuarve. E di fare mirë se shpirti i tij luftarak do ta bëjë atë që të përballojë këtë sfidë që ndodhet para tij”.
Edhe kolegë të tjerë të senatorit Kenedi shfaqën shpresë dhe bindje se ai do të shërohet dhe do të kthehen në detyrën e tij në Kongres.
Eduard Kenedi u zgjodh për herë të parë në senatin amerikan në vitin 1962, për të zënë vendin e lënë bosh nga vëllai i tij, Xhon Kenedi. Në vitin 1980, ai kandidoi, por pa sukses, për detyrën e presidentit kundër kandidatit tjetër demokrat Xhimi Kartër, i cili konkuronte për mandatin e dytë. Zoti Kenedi, i cili konsiderohet përgjithësisht si një prej ligjvënësve më të majtë të Amerikës, ka qënë mbrojtës i devotshëm i të drejtave civile dhe lëvizjeve aktiviste të qeverisë në emër të të varfërve dhe atë paangazhuarve në shoqërinë amerikane.
Këtë vit, ai u bë përsëri i njohur si mbështetës që në momentet e para i kandidatit demokrat për president, Barak Obama. (ze)