Lidhje

Qeveria e Kosovës përcakton festat zyrtare


Qeveria e Kosovës miratoi sot projektligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës në të cilin janë përshirë festa të reja e të vjetra, por nuk janë përfshirë disa nga festat tradicionale.

Në kalendarin festiv janë përfshirë Viti i Ri, 17 shkurti dita e pavarësisë, 9 prilli dita e Kushtetutës së Kosovës, dita e punëtorëve 1 maji, dita e Evropës 9 maji dhe festat fetare të komuniteteve në Kosovë. Por në kalendar nuk është përfshirë 28 nëntori, dita e pavarësisë së Shqipërisë të cilën shqiptarët e Kosovës tradicionalisht e kremtojnë si festë të flamurit kombëtar shqiptarë.

Po ashtu nuk është përfshirë as 12 qershori, dita e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që deri tash është kremtuar si ditë e çlirimit. Duke arsyetuar mos përfshirjen e 28 nëntorit kryeministri Thaçi tha se Kosovës i duhen festat e veta shtetërore. “Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multi-etnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare, ka festën e Republikës, ditën e shpalljes së pavarësisë dhe festat tjera. Ky është vetëm fillimi", tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Projektligji duhet të kalojë në Parlamentin e vendit për miratim ku mund të priten debate për mospërfshirjen e disa datave me të cilat shqiptarët janë të lidhur emocionalisht.

Zyrtarët e qeverisë thanë se ligji për festat është pjesë e planit të zotit Marrti Ahtisaari i cili parasheh edhe vendosjen e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehu sot bindjen se të gjitha mëdyshjet rreth pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë do të tejkalohen shpejt. Ai i bëri këto komente pas debateve që janë shtuar rreth pranisë civile pas 15 qershorit kur do të duhej të përmbyllej mandati i Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe të fillojë punën Misioni i Bashkimit Evropian.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi Yves de Kermabon, ka paralajmëruar mundësinë e shtyrjes së fillimit të funksionimit të misionit të tij për aq kohë sa nuk ka një kornizë të qartë politike e ligjore. Kryeministri Thaçi është i bindur ndërkaq se pas datës 15 qershor institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e vendit. “Ne duam të besojmë plotësisht se do të kemi një qendër të vendimmarrjes dhe një adresë civile ndërkombëtare, me rolin shumë të respektuar deri më tani të Kombeve të Bashkuara. Pas datës 15 qershor, institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërë territorin e Kosovës, me autoritet të plotë shtetëror që del nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Beogradi i mbështetur nga Moska zyrtare, ka kundërshtuar vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë i cili duhet të mbikëqyrë zbatimin e planit të Martti Ahtisaarit, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Ata kanë kërkuar që UNMIK-u të vazhdojë punën në Kosovë ndërsa Moska ka hedhur idenë që Misioni i Bashkimit Evropian të jetë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara. Por zyrtarë të BE-së e kanë hedhur poshtë një ide të tillë.//rd//

XS
SM
MD
LG