Fushata zgjedhore në Maqedoni është përshkuar nga një numër incidentesh të dhunshme vetëm dy javë para votimeve të 1 qershorit. Analisti politik Eduard Xhozef në Universitetin Xhons Hopkins thotë se një nga faktorët që ka ndikuar në acarimin e situatës politike në vend është edhe dështimi i Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO për shkak të vetos greke. Mosmarrëveshja me Greqinë sipas analistit është shumë e rrezikshme për të gjithë rajonin.
Zëri i Amerikës: Zoti Xhozef, fushata zgjedhore në Maqedoni ka filluar plot incidente të dhunshme. Mes tyre ishte edhe tentativa për vrasjen e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti. Si i shihni ju këto zhvillime para zgjedhjeve në Maqedoni?
Eduard Xhozef: Për sa i përket dhunës ne duhet të kemi të qartë diçka: kjo është dhunë ndërmjet shqiptarëve. Po të ishte dhunë ndëretnike, atëherë do të ishte më serioze. Kjo nuk do të thotë se nuk është gjë e keqe dhe se nuk duhet marrë seriozisht. Por megjithatë, është shumë më pak serioze sesa po të kishim dhunë mes maqedonësve dhe shqiptarëve. Ajo do të kishte karakter shumë më të ndryshëm dhe do të ishte më destabilizuese. Dhuna që po ndodh sigurisht që është problematike, por fatkeqësisht pasqyron realitetin e konkurencës politike mes partive shqiptare në Maqedoni. Kjo nuk është diçka e re. Konkurenca ka qenë e dhunshme edhe në të kaluarën mes PDSH-së të zotit Thaçi dhe BDI-së të zotit Ahmeti.
Zëri i Amerikës: Maqedonia nuk arriti të merrte ftesën nga NATO në takimin e Bukureshtit. A mendoni se kjo ka pasur ndikim në situatën politike atje?
Eduard Xhozef: Nëse Maqedonisë do t’i ishte ofruar ftesa në NATO ashtu siç e meritonte, rruga përpara do të kishte qenë më e qartë. Nuk ka dyshim që dështimi për marrjen e ftesës ka ndikuar në situatën politike. I gjithë vendi do ta kishte ditur se Maqedonia do të ishte në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO. Tani i gjithë orientimi strategjik i vendit, i cili është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian janë vënë në pikëyetje për shkak të vetos greke, e cila bëhet pengesë për anëtarësim si në NATO ashtu edhe në BE. Sa më tepër të ketë pasiguri për orientimin strategjik dhe destinacionin përfundimtar të vendit, aq më tepër pasiguri ka në situatën politike.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi ka mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për stabilitetin rajonal dhe për Kosovën?
Eduard Xhozef: Mendoj se mosmarrëveshja për emrin është një nga më seriozet për rajonin. Ajo nuk është e rëndësishme vetëm për Maqedoninë, por është e rëndësishme edhe për Kosovën, për Bosnjën, Malin e Zi, Serbinë dhe të gjithë rajonin, sepse e gjithë strategjia perëndimore bazohet në idenë që këto vende të ecin përpara drejt BE-së dhe NATO-s. Normalisht, pengesa kryesore është aftësia e tyre për të përmbushur reformat. Por në këtë rast ne kemi një vend që i ka kryer reformat, është pranuar se i ka përmbushur ato e megjithatë është bllokuar. Fakti që ky vend është bllokuar lë të hapur edhe çështjen e Kosovës, sepse fut pasigurinë tek shumë popuj të rajonit për sa i përket gjendjes së Maqedonisë. Kjo mban të hapur mundësinë për disa që të shfrytëzojnë alternativa të ndryshme nga marrëveshja e Ohrit, e cila ka të bëjë me ndarjen e barabartë të pushtetit mes shqiptarëve dhe maqedonësve. Dhe kjo është shumë e keqe për Kosovën, sepse lë të hapur mundësinë e ndarjes së saj dhe fut pasigurinë për sa i përket statusit përfundimtar të kufijve. Mendoj se një nga gjërat më pozitive në rajon ka qenë përgjegjësia e treguar nga qeveritë e Tiranës kundrejt Maqedonisë. Ata kanë treguar përgjegjësi dhe objektivitet sidomos për sa u përket çështjeve të sigurisë në Maqedoni. Pra Shqipëria ka qenë një faktor pozitiv që ka kontribuar në stabilitetin e Maqedonisë. //bsa//