Lidhje

Serbi: Udhëheqësit politikë përballë negociatave të vështira për formimin e qeverisë


Udhëheqësit politikë të Serbisë ndeshen me negociata të vështira lidhur me formimin e qeverisë së re, pasi përkrahësit e Presidentit pro-perëndimor Boris Tadiç siguruan shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare dje.

Sipas rezultatet jozyrtare, Aleanca Demokratike e Presidentit ka siguruar rreth 39 për qind të votave, ndërsa Partia Radikale me pikëpamje ultranacionaliste mori 29 për qind të votave.

Udhëheqësi radikal Tomisllav Nikoliç zhvilloi sot bisedime me kryeministrin Vojisllav Koshtunica. Nëse të dy ata arrijnë të bindin Partinë Socialiste të ish-Presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç të bashkojë forcat me ta, ata mund të formojnë një koalicion që do të përjashtonte përkrahësit e Presidentit Tadiç.

Gjatë zgjedhjeve mbizotëruan mospajtime të thella mbi të ardhmen e Serbisë. Zoti Tadiç kërkon forcimin e lidhjeve me Evropën për t’i siguruar Serbisë anëtarësim në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Nacionalistët serbë, të irrituar nga mbështetja perëndimore për pavarësinë e Kosovës, janë shprehur në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Në Uashington, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se populli serb mund të krenohet me mënyrën si u zhvilluan votimet. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve pritet të shpallen të premten. //rd//

XS
SM
MD
LG