Lidhje

SHBA mbështesin anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO


Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs, shprehu edhe një herë dje mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO sa më parë që të jetë e mundur. Muajin e kaluar Greqia bllokoi ftesën për Maqedoninë për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me emrin.

Zyrtarët amerikanë kanë mbetur tejet të zhgënjyer që Greqia dhe Maqedonia nuk arritën të zgjidhnin çështjen e emrit para takimit të nivelit të lartë të NATO-s muajin e kaluar në Bukuresht dhe si rezultat Greqia u bë pengesë që Maqedonia të merrte ftesën për anëtarësim në NATO.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Antonio Miloshoski në Departamentin e Shtetit, Sekretarja e Shtetit Kondolisa Rajs u bëri thirrje të dy vendeve të dyfishojnë përpjekjet në negociatat e ndërmjetësuara nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Methju Nimitz, me qëllim që Maqedonia të hyjë në aleancë shumë shpejt.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO u riafirmua edhe në deklaratën e përbashkët të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit, të nënshkruar nga Sekretarja Rajs dhe homologu i saj maqedonas në një ceremoni në Departamentin e Shtetit. Mes të tjerash dokumenti bën thirrje për një bashkëpunim më të gjerë në fushën e tregtisë, sigurimit dhe lidhjeve mes popujve.

Në ceremoni, Sekretarja Rajs shprehu mbështetje të fuqishme për anëratësimin e Maqedonisë në NATO sapo të zgjidhet çështja e emrit, duke thënë se ky vend meriton të jetë anëtar i NATO-s pasi ka kontribuar me trupa në koalicionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Afganistan.

"Maqedonia është një mike e mirë e Shteteve të Bashkuara. Edhe Greqia është po ashtu mike e mirë e Shteteve të Bashkuara. Dhe ne shpresojmë shumë se me vullnet, me përpjekje dhe me fleksibilitet nga të dyja palët kjo çështje mund të zgjidhet, sepse gjatë takimeve të NATO-s në Bukuresht, u pa qartë se antëarët e aleancës donin t’i bënin ftesë Maqedonisë dhe ne shpresojmë që kjo të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Miloshoski tha nga ana e tij, se qeveria e Shkupit, nëpërmejet reformave dhe mbështetjes rekord për NATO-n ka provuar se është e gatshme për t’u anëtarësuar.

"Ushtarët tanë po shërbejnë krah për krah e sup më sup me ushtarët amerikanë dhe ushtarë të tjerë në misionet e NATOs në botë. Maqedonia ka provuar se ajo është një vend paqësor në pjesën juglindore, ajo mund të kontribojë realisht për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në rajonin tonë”.

Pas shpalljes së pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991, Maqedonia u bë anëtare e Kombeve të Bashkura, e njohur me emrin e saj të përkohëshëm Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo për arsye të këmbënguljes së Greqisë, e cila thotë se emri Maqedoni përmban në vetvete një pretendim teritorial për zonën veriore të Greqisë me të njejtin emër.

Në vitin 2004 Shtetet e Bashkuara deklaruan se duke filluar prej atëhere do t’i referohej asaj si Republika e Maqedonisë, siç preferon ajo. Negociatat me Greqinë për emrin kanë vazhduar edhe pse jo rregullisht që nga viti 1994. Ambasadori Nimitz, një diplomat veteran amerikan, ka ndërmjetësuar bisedimet si përfaqësues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në katër vitet e fundit. //iç//

XS
SM
MD
LG