Lidhje

Sen. Obama më pranë emërimit pas fitores në Karolinën e Veriut


Senatori amerikan Barak Obama është një hap më pranë emërimit të Partisë Demokrate si kandidat presidencial, pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Veriut dhe një rezultati të ngushtë në Indiana. Senatori i Ilinoit fitoi ndaj senatores së Nju Jorkut Hillari Klinton në Karolinën e Veriut me një diferencë të konsiderueshme, duke e zgjeruar kështu epërsinë në numrin e delegatëve që duhen për të siguruar emërimin. Zonja Klinton fitoi në Indiana me një epërsi të lehtë. Burimet e fushatës së saj thanë sot se gjatë muajit të fundit ajo i dha hua 6.4 milionë dollarë fushatës së saj. Pas votimit në Karolinën e Veriut, zoti Obama u tha simpatizantëve të tij të entuziazmuar në Relli se është momenti i tyre për ndryshim dhe bëri thirrje për unitet të Partisë Demokrate. Ai tha se i duhen më pak se 200 delegatë për të siguruar emërimin. Në Indianapolis, senatorja Klinton u zotua të vazhdonte përpjekjet për të siguruar emërimin. Ish-zonja e parë tha gjithashtu se çfarëdo që të ndodhë ajo do të punojë për kandidatin demokrat, duke thënë se partia duhet të fitojë në nëntor.

Senatori i shtetit Illinoi hodhi një hap të rëndësishëm dje drejt sigurimit të kandidaturës së Partisë Demokrate si kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale. Senatori Obama fitoi me diferencë të thellë në Karolinën e Veriut dhe humbi me diferencë të vogël në shtetin e Indianës.

Senatori Barak Obama forcoi pozitat e tij si kandidati kryesor i Partisë Demokrate me fitoren e së martës në Karolinën e Veriut, ndërsa duket se Senatorja Hillari Klinton nuk ka më as kohë e as fonde për të ndaluar marshimin e tij drejt sigurimit të emërimit. Në fjalimin e fitores, senatori Obama u ndal më pak tek rivalja demokrate Klinton duke e përqëndruar më shumë vëmendjen tek gara që ai do të zhvillonte ndaj kandidatit republikan Xhon Mekein në se siguronte emërimin e partisë. “Ne jemi partia e Tomas Xhefersonit, Endru Xheksonit, Franklin Ruzveltit dhe Xhon Kenedit. Ne jemi më të mirët kur udhëheqim nisur nga parimet, nisur nga bindjet, kur mbledhim gjithë kombin drejt një qëllimi të përbashkët, drejt një synimi më të lartë.”

Senatorja Klinton tha se do ta vazhdojë garën në zgjedhjet e mbetura paraprake në shtetet e Virxhinias Perëndimore dhe Kentakit dhe bëri përsëri thirrje për fonde për fushatën e saj. Kohët e fundit ajo ka përdorur fonde personale për të financuar fushatën elektorale. Por senatorja Klinton po ashtu ritheksoi zotimin e mëparshëm se do të mbështesë kandidatin Obama në se ai siguron emërimin e partisë. “Çfarëdo që të ndodhë, unë do të mbështesë kandidatin demeokrat, pasi ne duhet të fitojmë në nëntor.”

Pas rezultateve të së martës, senatori Obama e shtoi numrin e delegatëve që e mbështesin, ndërsa senatorja Klinton, ndonëse është zotuar ta vazhdojë garën, sipas ekspertëve, ka pak shanse për të siguruar emërimin e partisë, tani që procesi elektoral po i afrohet fundit.

Leri Sabato është Drejtor i Qendrës së Politikave në universitetin e Virxhinias. “Gara po i afrohet fundit logjik dhe në se nuk ndodh ndonjë e zhvillimi i madh, i paparashikuar, Barak Obama do të jetë kandidati demokrat për president.”

Shpresa e vetme e senatores Klinton është të bindë të ashtuquajturit superdelegatë, ende të pavendosur, se ajo është kandidatja më e fortë, me më shumë shanse për të fituar ndaj kandidstit republikan Mekein në zgjedhjet e nëntorit. Superdelegatët janë zyrtarë të lartë të partisë që mund të mbështesin cilin kandidat që dëshirojnë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve paraprake në shtetin e tyre.

Rreth 500 nga 800 superdelegatët tasahmë e kanë bërë të qartë preferencën e tyre, ndërsa pjesa tjetër janë ende të pavendosur. Asnjë prej kandidatëve nuk ka mundësi teorike të fitojë numrin e duhur të delegatëve në zgjedhjet që kanë mbeturm prandaj mbështetja e superdelegatëve ka marrë këtë vit rëndësi parësore.

Analistët parashikojnë që pas rezultatit të së martës, superdelegatët do të anojnë më shumë nga senatori Obama. Bill Biman redaktor i revistës Politika thotë se superdelegatët zor se do t’i thonë JO senatorit Obama, tani që ai duket se po fiton më shumë vota popullore se rivalja Klinton. “Nuk duhet harruar se shumica e superdelegatëve janë zyrtarë të zgjedhur. Ata kanë nevojë për mbështetjen e elektoratit që i ka zgjedhur. 20 deri 25 përqind e bazës demokrate janë afrikano-amerikanë. A e mendoni për një moment se çfarë reagimi do të shkaktonte mes afrikano-amerikanëve në se emërimi i hiqet Barak Obamës përmes superdelegatëve?”

Analisti Biman dhe ekspertë të tjerë parashikojnë që demokratët do të bashkohen pas kandidatit Obama kur të përfundojnë zgjedhjet paraprake në qershor. Deri më 3 qershor, kur përfundojnë zgjedhjet paraprake, kanë mbetur edhe 6 gara. Demokratët do ta zhvillojnë kuvendin e partisë, ku emërohet zyrtarisht kandidati për president, në fund të gushtit, ndërsa republikanët, do të mblidhen në javën e parë të shtatorit. //bsa//

XS
SM
MD
LG