Lidhje

Nju Orlins vazhdon rimëkëmbjen nga shkatërrimet e uraganit Katrina


Kanë kaluar thuajse tre vjet që kur Uragani Katrina shkaktoi përmbytje masive në Nju Orlins. Ndërsa afron sezoni tjetër i uraganëve që fillon në qershor, qyteti ka fituar një ndjesi besimi. Ai është bërë destinacion popullor për konferenca kombëtare dhe turizmi në përgjithësi është shtuar. Qyteti ende ndeshet me shumë probleme, por imazhi i këtij qyteti të gëzueshëm nuk ka qënë asnjëherë më i spikatur.

Më shumë se 700 aktorë të veshur si piratë nga mbarë vendi erdhën në Nju Orlins së fundmi për të mbajtur një konventë. Ata nxorën në pah shpirtin e vërtetë të piratëve si të famshmit Zhan Lafit, banor i këtij qyteti gati 200 vjet të shkuara.

Xhoni Redbon nga Kalifornia thotë se Nju Orlins është një vend i preferuar për piratët.

"Qyteti i shkon për shtat karakterit të piratit, të kalojë mirë, të shkojë në mbrëmje dhe të pijë. Kjo është jeta e piratit për mua dhe Nju Orlins është tamam për këtë jetë".

Kjo ide u pëlqen tregtarëve, pronarëve të restoranteve dhe hoteleve në Nju Orlins ndërsa turistët kanë mbushur përsëri rrugët e qytetit.

Një pikë tërheqëse ishte rihapja kohët e fundit e linjës së tramvajit në bunevardin Senjt Çarls, që pëlqehet si nga turistët edhe nga banorët vendas. Mari Beth Bomig është me Zyrën për Konventat dhe Vizitorët.

"Njerëzve u pëlqen të shëtisin me tramvaj në bulevardin e bukur të qytetit. Kjo solli rritje të ardhurash për zyrën e transportit rajonal por është gjithashtu e rëndësishme për banorët e qytetit të jenë të gjendje të shkojnë dhe vijnë për në punë me tramvaj. Është shumë e rëndësishme. Ishte një festë e madhe dita kur u vu përsëri në fuksionim linja".

Konventat, ngjarjet sportive dhe rritja e numrit të turistëve në përgjithësi kanë ndihmuar në mëkëmbjen e qytetit por zonja Romig thotë se efektet e Katrinës ende vazhdojnë.

"Nju Orlins mbetet historia e dy qyteteve. Kemi ende shumë punë për të bërë për mëkëmbjen e disa lagjeve periferike. Disa lagje po mëkëmben më shpejt se të tjerat. Them se do të shohim një Nju Orlins tjetër, por shpresoj më të mirë sesa i pari. Edhe nëse do të jetë pak më i vogël, do të jetë Nju Orlins më i bukur pasi kemi mësuar shumë nga kjo eksperiencë".

Gjërat mund të mos jenë ashtu siç ishin tre vjet të shkuara, por gjendja shpirtërore e turistëve dhe e sektorit të shërbimeve është e mirë. Dhe shumë njerëz këtu thonë se më në fund Nju Orlins është në rrugën e duhur. (ze)

XS
SM
MD
LG