Organizata Freedom House publikoi të martën në Uashington raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë, sipas së cilit shtypi në Shqipëri vazhdon të jetë pjesërisht i lirëdhe nën presion politik dhe ekonomik. Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese.
Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në vendin e 105 në raport. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit, duke i akuzuar ato - pa i përmendur me emër - se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar. Karin Deutch Karlekar, studiuese e organizatës Freedom House the Redaktore Menaxhuese e raportit, tha dje për Zërin e Amerikës, se gjendja e shtypit në Shqipëri vitet e fundit ka qenë pak a shumë e pandryshuar.
“Duket se çfarëdo reformash që ishin ndërmarrë në këtë drejtim, kanë ngecur në vend. Nga njëra anë vihen re problemet e shkaktuara nga qeveria dhe një farë mungese vullneti për të përmirësuar gjendjen ligjore. Nga ana tjetër shihen vazhdimisht probleme me autocensurën, një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur, pasi shpesh gazetarët as nuk e pranojnë që po ushtrojnë autocensurë”.
Zonja Karlekar thotë se kjo dukuri ndodh jo vetëm për shkak të presionit të qeverisë, por edhe për shkak të problemeve ekonomike më të vështira për t’u diktuar.
“Këto ishin disa nga problemet kryesore në Shqipëri dhe në vitin 2007 nuk pamë ndonjë përmirësim”, tha zonja Karlekar duke shtuar se duke pasur parasysh Evropën Lindore në përgjithësi, Shqipëria është diku nga mesi, as shumë mirë, por as shumë keq për nga niveli i shtypit.
Në raport përmendet miratimi i ligjit për transmetimet dixhitale që u konsiderua se dëmtonte interesat e kompanisë Top Media, stacionet e së cilës vazhdimisht kanë kritikuar zotin Berisha, si edhe përpjekjet për gjobitjen e kësaj komanie që shkaktuan kundërshtime dhe protesta nga organizata të të drejtave të njeriut dhe të shtypit.
Freedom House thotë se liria e informimit në Shqipëri është e garantuar në kushtetutë, por zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias, ndërsa gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore.
Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit vazhdoi të përballej me akuza për politizim në favor të qeverisë dhe personeli dhe fondet për të vazhduan të ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, Këshillit iu shtuan të emëruar të opozitës, sipas një marrëveshjeje të vitit 2006.
Media në Shqipëri vazhdoi të paraqiste një larmi këndvështrimesh në vitin 2007, por organet kryesore patën prirjen të mbështesnin ose njërin grupim politik ose tjetrin.
OSBE-ja njoftoi se radio-televizionet e zbutën njëanshmërinë e tyre të zakonshme dhe bënë një pasqyrim të ekuilibruar para zgjedhjeve lokale të shkurtit megjithëse partitë e vogla nuk u pasqyruan sa ç’duhej. Në raport thuhet se rregullat për caktimin e reklamave dhe heshtjen zgjedhore para votimit nuk u respektuan.
Ndërkohë mbrojtësit e lirisë së shtypit vazhduan në vitin 2007 ta nxisin qeverinë që të mos ta quajë më vepër penale shpifjen. Në vitin 2007 nuk pati njoftime për hapjen e ndonjë çështjeje penale për shpifje.
Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit, ose motive të tjera. Radio-televizioni publik është përgjithësisht në favor të autoriteteve dhe personeli i tyre ndryshon sa herë që ndryshon qeveria.
Organet e medias së shkruar shpesh kanë lidhje të hapura me partitë politike ose grupet e interesave dhe praktikisht asnjëra prej tyre nuk janë në gjendje të mbijetojnë vetëm nga reklamat dhe abonimet. Televizionet kryesore kanë më shumë fitime, por ato ndjejnë presionin e kompanive kryesore që japin reklamat. Tregu i radiove mbizotërohet nga muzika dhe emisionet zbavitëse. Vetëm katër nga 40 stacionet japin lajme origjinale.
Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar auto-censurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike. Një gjë e tillë prek veçanërisht internetin, të cilin e përdor rregullisht afërsisht vetëm 13 për qind e popullsisë, thuhet në raport.
Lidhur me Kosovën, raporti thotë se sistemi i liçensimit të mediave atje është i komplikuar dhe jo koherent. Gjatë vitit të kaluar ka patur njoftime për një numër incidentesh dhune dhe shumë herë gazetarët janë ankuar se nuk janë lejuar të shfrytëzojnë burimet e informacionit publik.
Raporti është hartuar për periudhën para se Kosova të bëhej e pavarur dhe zonja Karlekar thotë se ndoshta raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë një kapitull më vete për shtetin e ri.
“Mendoj se ka disa probleme që janë karakteristike për Kosovën përsa i takon polarizimit të popullsisë dhe medias. Por disa nga problemet besoj se janë karakteristike për gjithë rajonin. Do të jetë interesante të shohim më tej gjendjen në Kosovë. Shpresoj që gjendja në Kosovë të stabilizohet gjatë këtij viti dhe të mos ketë pasoja tek media”.
Shumica e mediave në Kosovë, thotë raporti, kanë patur vështirësi të mëdha financiare. Pavarësia redaksionale mbetet e dobët dhe media u nënshtrohet interesave të biznesit. Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.
Në shkallë botërore, sipas raportit, në vitin 2007 u keqësua, me prirje më negative në ish-Bashkimin Sovjetik, Azi dhe Afrikën nënsahariane. Është i gjashti vit me radhë një liria e shtypit pëson rënie në botë. //kk//