Presidenti Bush thotë se ekonomia amerikane po ndeshet me vështirësi si rezultat i rritjes së çmimeve të energjisë dhe çmimeve të ushqimit, si dhe problemeve në tregun e shtëpive.
Në një konferencë për shtyp në Uashington, Presidenti Bush fajësoi demokratët se po bllokojnë propozimet e tij për të zgjidhur problemin e energjisë, të tregut të shtëpive dhe të kredive për studentët. Ai kritikoi Kongresin se nuk kishte miratuar planin e tij për të filluar shpime për naftë në zonën arktike të shpallur rezervat natyror në shtetin e Alaskës.
Presidenti tha se propozimi i tij do të shtonte ndjeshëm rezervat e brendshme të naftës dhe do të ulte në një farë mase çmimet e karburantit. Demokratët kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e mjedisit nga shpimet në Alaskë dhe kanë bërë thirrje për masa për të nxitur ekonominë.
Kreu i Komisionit Dypartiak Ekonomik, Senatori Çarls Shumer tha se komentet e Presidentit Bush tregojnë se ai nuk e njeh sa duhet gjendjen ekonomike. Dy raporte ekonomike të publikuara sot tregojnë se besimi i konsumatorëve amerikanë ka arritur nivelin më të ulët në 5 vjet, ndërkohë që çmimet e shtëpive kanë vazhduar të bien në zonat kryesore metropolitane.//lk