Programi i OKB-së për Ushqimin tha se çmimet e larta të ushqimit po krijojnë sfidën më madhore që kjo agjenci ka ndeshur në historinë e saj 45 vjeçare, duke e cilësuar atë si një cunam të heshtur që kërcënon të zhys në uri më shumë se 100 milion njerëz në çdo kontinent.
Drejtoresha Ekzekutive e kësaj organizate, Josette Sheeran, është në Londër për një takim mbi procedurat e ushqimit, shitjet dhe konsumatorët, organizuar nga kryeministri britanik Gordon Brown. Ajo thotë se dhuna kohët e fundit në Haiti dhe 33 vende të tjera tregon se pasiguria e ushqimit kërcënon jo vetëm të uriturit por edhe paqen dhe sigurinë.
Rritjet e çmimeve, thotë ajo, kanë detyruar Organizatën Botërore të Ushqimit të shkurtojë shpërndarjen e ushqimit për të varfërit.
"Ata që jetojnë me më pak se një dollarë në ditë ose 50 cent në ditë nuk kanë ku të shkojnë me këto çmime që janë rritur dhe janë dyfishuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Programi Botëror për Ushqimin shpërndan tani shumë më pak ushqim sesa ishte në gjendje të bënte qershorin e kaluar me të njëjtat kontribute".
Ngritja e çmimeve, shtoi zonja Sheeran po nxjerr në sipërfaqe atë që ajo e quajti “një fytyrë të re të urisë” – ata që konkurrenca i ka nxjerrë nga tregu ushqimor. Në këtë grup përfshihen fshatarët pa tokë, barinjtë dhe fermerët e vegjël. Por agjencia e OKBsë thotë se ndikimi është më i madh në shtresën e varfër urbane.
Programi Botëror i Ushqimit po kërkon më shumë para nga qeveritë donatore, por zonja Sheeran thotë se thirrjet e organizatës nuk kanë qënë të mjaftushme për për të përballuar rritjen e çmimeve.
"Më 25 shkurt ne njoftuam se hendeku në buxhetin tonë ishte 500 milionë dollarë për shkak të rritjes së çmimeve nga buxheti bazë prej 2 presje 9 miliardë dollarësh. Që nga ajo kohë ky hendek është rritur në 755 milionë dollarë. Kështu që ne po bëjmë thirrje urgjente për ndihmë për të plotësuar jo vetëm buxhetin tonë bazë për nevojat e njerëzve nga Darfuri në Uganda, Haiti e më tej por edhe për të mbyllur këtë hendek".
Shtetet e Bashkuara, që sipas Programit Botëror të Ushqimit japin rreth 50 përqind të ndihmave ushqimore në mbarë botën, janë përgjigjur duke njoftuar 200 milionë dollarë shtesë në ndihma për të lehtësuar krizën. Qeveria britanike, spanjolle dhe ajo gjermane kanë njoftuar gjithashtu për ndihma shtesë.
Zonja Sheeran thotë se bota duhet ta shikojë rritjen e çmimeve si një alarm zgjimi për investime afatgjata, të cilat do të zgjidhnin problemin e furnizimit me ushqime. Ajo thotë se fermerët e vegjël që shpesh përpiqen të prodhojnë ushqim të mjaftueshëm për familjet e tyre kanë nevojë për materiale për të rritur prodhimet.
Ajo dha shembullin e fermerëve në Luginën Rift në Kenia, të cilët po mbjellin më pak pasi çmimi i plehërave e ka kaluar dyfishin që nga dhjetori i kaluar. (ze)