Lidhje

Në Uashington, nën kupolën e Kapitolit


Në Shtetet e Bashkuara, të jesh anëtar i Kongresit do të thotë mes të tjerash të kesh influencë, kontakte dhe lidhje me të fuqishmit. Por largimi nga Kongresi nuk nënkupton se anëtarët shkëputen plotësisht. Sot ata kanë një shoqatë të tyren që i ndihmon të ruajnë lidhjet me njëri-tjetrin dhe me të tjerë. Në njërën nga veprimtaritë e shoqatës, Ilir Ikonomi takoi disa ish kongresmenë dhe personalitete të tjera për të cilët Kosova vazhdon të jetë mjaft e afërt.

Në sesionin e saj pranveror, Shoqata amerikane e ish anëtarëve të Kongresit solli edhe një herë pranë njëri-tjetrit ish kongresmenë dhe personalitete të tjera – amerikanë dhe të huaj.

Për aktivitetet e tyre rezervohet kjo sallë historike, Salla e Statujave, siç njihet, ndër më të bukurat nën kupolën e Kapitolit. Ish kongresmeni Joe DioGuardi, shpjegon:

"Këtu jemi në Dhomën e dikurshme të Përfaqësuesve. Përpara se vendi të bëhej shumë më i madh si territor, në vitin 1865, pikërisht në këtë sallë i mbante seancat Kongresi. Në fakt, Abraham Linkolni, i cili më pas do të bëhej president, kishte edhe ai vendin e tij këtu".

Benjamin Gilman, ish kryetari i komisionit të fuqishëm të punëve të jashtëme në Dhomën e Përfaqësuesve, shpreh kënaqësinë për pavarësinë e Kosovës, të cilën ai e ka mbështetur fuqimisht në Kongres.

"Pas shumë zhgënjimesh dhe pengesash duke filluar qysh nga vitet 80, më në fund arritëm pavarësinë për Kosovën. Kam një ndjenjë krenarie në zemër se kjo ka qenë një punë e rëndësishme. Megjithë faktin se disa vende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, shumica e botës i dha asaj miratimin. Kosova e meriton pavarësinë. Sfida tani është që ta ndihmojmë Kosovën të arrijë pavarësinë financiare, të krijojë më shumë vende pune, të bëhet anëtare e bashkësisë europiane dhe pjesë e NATO-s”.

Shirley Cloyes, është bashkëshorte e ish kongresmenit DioGuardi dhe eksperte juridike: "Kongresmeni Ben Gilman ngriti zërin për pavarësinë e Kosovës në një kohë kur kjo çështje nuk gjente shumë përkrahje. Dhe pikërisht kjo e solli ndryshimin".

Katrina Lantos Swet është e bija e kongresmenit pro pavarësisë, Tom Lantosh, i cili vdiq pak muaj më parë. Ajo ka ardhur këtu me bashkëshortin, ish anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe arkitektin e njohur Richard Swet.

“Ka qenë me rëndësi të madhe që populli i Kosovës të kishte një mik, miqësia e të cilit të ishte e padiskutueshme dhe e palëkundur dhe ky mik ishte babai im. Sa do të dëshiroja që ai të ishte ende gjallë për ta vazhduar betejën dhe për të bindur njerëzit se përse ne nuk duhet të lëkundemi përballë kokëfortësisë serbe dhe ruse kur për pavarësinë e Kosovës ekziston një konsensus i qartë ndërkombëtar i arritur me shumë mundim”.

Kongresmenët, bashkëshortet dhe miqtë e tyre i mbyllën takimet me një aktivitet social. Në vend të fjalimeve, mbizotëruan dollitë, kërcimet dhe muzika. //iç//

XS
SM
MD
LG