Lidhje

Fermerët amerikanë shtojnë prodhimin e orizit ndërkohë që rriten çmimet


Rritja dramatike e çmimit të orizit në botë i ka bërë prodhuesit amerikanë të mbjellin më shumë sipërfaqe me këtë drith në një përpjekje për të rritur fitimet. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga zona e njohur e rritjes së orizit në Dayton të Teksasit, kostot e larta mund të kufizojnë fitimet që ata presin.

Traktorët po punojnë tokën dhe po krijojnë brazda që do të shërbejnë si diga kur uji të rrjedhë në këto fusha. Kjo zonë në juglindje të Teksasit është me prodhimtarinë më të lartë në Shtetet e Bashkuara për rritjen e orizit. Shtetet të tjera që prodhojnë gjithashtu sasi të mëdha orizi janë Arkansa, Luiziana dhe Mississippi.

Ray Stoesser ka mbellë oriz në një sipërfaqe prej më shumë se një mijë e 800 hektarësh afër shtëpisë së tij në Dayton të Teksasit. Ai shpreson se rritja e fundit në çmime do ta ndihmojë atë të sigurojë fitime. "Natyrisht që shohim tregun dhe tregu tani është më mirë seç ka qënë qysh nga viti 1974. Ne mund të rrisin oriz dhe të sigurojmë një rendiment të lartë, bile mund të bëjmë një mbjellje të dytë kështu që do të arrijmë fitime maksimale".

Çmimi i orizit e ka kaluar dyfishin nga ç’ishte një vit më parë. Por zoti Stoeser thotë se edhe kostot e prodhimit janë rritur. "Plehërat kimike arritën 80 dollarë për ton javën e kaluar. Duket sikur sa herë që kemi nevojë për to, çmimi rritet. Të gjithë furnizuesit tanë thonë se nuk mund të sigurojnë shumë kimikate të prodhimin vendas kështu që na duhet të varemi tek burimet nga jashtë".

Dwight Roberts është president i Shoqatës së Prodhuesve amerikanë të Orizit me seli në Houston. Ai thotë se orizi është drithi më i shtrenjtë që rritet në Shtetet e Bashkaura pasi është plotësisht një proces i mekanizuar, kështu që fermerët në disa nga zonat me prodhimtarinë më të lartë për rritjen e orizit janë të kujdesshëm kur marrin vendime për mbjelljen e tij.

Zoti Roberts thotë se Shtetet e Bashkuara eksportojnë rreth gjysmën e sasisë së orizit që prodhojnë kështu që kur çmimet janë të ulta në tregun botëror, fermerët tentojnë ta përqëndrojnë prodhimin tek drithrat që janë më fitimprurës në vend, si misri dhe soja. Çmimi i të dyja këtyre drithrave është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit pasi ato përdoren për të prodhuar biokarbure.

Dwight Roberts thotë se arsyet për pakësimin e orizit në botë janë të shumta, duke filluar me politikat e qeverive në vendet ku çmimet për konsumatorët u subvencionuan pa u dhënë nxitje fermerëve. Ai fajëson gjithashtu thatësirën në Australi, ku prodhimi i orizit pothuajse është ndërprerë, ndërkohë që është rritur kërkesa si rezultat i rritjes së popullësisë. "Ekonomistët parashikojnë se popullësia e botës do të rritet me një miliardë njerëz gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme dhe klasa e mesme do të rritet me një presje tetë miliardë njerëz. 600 milion nga këta do të jenë në Kinë dhe kur njerëzit lëvizin më lartë në zinxhirin ekonomik, ata kërkojnë të hanë më mirë, kërkojnë më shumë proteina, prodhimi i të cilave kërkon më shumë drithra dhe karburante".

Rritja e popullësisë ka kotribuar gjithashtu në zgjerimin e zonave urbane. Humbja e tokës së punueshme për ndërtimin e shtëpive, rrugëve dhe insfrastrukturës ka pakësuar gjithashtu prodhimin e orizit në mbarë botën. Të gjithë këta faktorë së bashku kanë bërë që të pakësohet sasia e disponueshme e orizit.

Rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara do të ndihmojë mungesat e rezervave të orizit në disa pjesë të botës. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të ndihmojnë Filipinet, që importojnë rreth 15 përqind të orizit që konsumon vendi dhe që përballet tani me mungesa të ndjeshme. Por në përgjithësi, kërkesa për këtë drith në mbarë botën ka të ngjarë të tejkalojë prodhimin, duke i mbajtur çmimet e larta dhe duke nxitur trazira sociale në vendet e varfëra ku ofera është e ulët. //rd//

XS
SM
MD
LG