Lidhje

FMN, BB: Ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë sjell uri në disa vende


Zyrtarët e lartë të ekonomisë nga të gjitha vendet e botës i dhanë fund më 13 mars 2008 takimet të tyre të Uashington me thirrjen për të ndihmuar vendet e prekura më tepër nga ngritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimit.

Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zellik tha se ndihma është e nevojshme për vendet ku ngritja e madhe e çmimeve të ushqimeve ka sjellë me vete urinë. Çmimet e shumë drithërave pothuajse janë dyfishuar gjatë vitit të kaluar dhe pasojat janë më të rënda veçanërisht në vende si Haiti dhe Bangladeshi. Zoti Zellik tha se do të krijohet një program ndihmash emergjente me një fond prej 500 milionë dollarësh.

"Ne duhet të japim ndihma të menjëherëshme atje ku është më e nevojshme. Pra duhet të dërgojmë ushqime tek njerëzit e uritur. Ky është problemi më i mprehtë që kemi përballë”.

Drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Khan, i cili ishte i pranishëm në takimin e 13 marsit me Këshillin për Zhvillim të Bankës Botërore, paralajmëroi se ngritja e madhe e çmimeve të ushqimeve do të zhyste miliona njerëz në varfëri.

"Gjithçka është arritur gjatë dekadës së kaluar mund të prapësohet shumë shpejt nga kriza që sjell ngritja e çmimeve të ushqimit”.

Në Azi çmimet e orizit janë ngritur më shumë se 75 përqind në më pak se tri muaj dhe disa nga vendet eksportuese të orizit i kanë vënë kufizime shitjes së orizit të importuar.

Titullarët që erdhën në Uashington për këtë takim të Këshillit drejtues të FMN-së dhe Bankës Botërore u tronditën nga keqësimi i papritur i perspektivës ekonomike botërore. Ritmi i rritjes ekonomike ka rënë në nivelin më të ultë në pesë vjet, ndërsa çmimet e ushqimit dhe energjisë vazhdojnë të ngrihen. Udhëheqësit janë më pak të predispozuar të marrin në sy rreziqe pas problemit me huatë e shtëpive që doli në pah tetë muaj më parë në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që disa vende në zhvillim ndodhen në vështirësi, vendet eksportuese të naftës po nxjerrin fitime të mëdha nga katërfishimi i çmimeve të naftës gjatë pesë viteve të fundit. Presidenti i Bankës Botërore, Zellik, kërkon që një pjesë e këtyre fitimeve të investohen në Afrikë.

"Sikur një përqind e kësaj pasurie nga vendet e Lindjes së Mesme investohej në Afrikë, ajo mund të gjeneronte 30 miliardo dollarë për zhvillimin, rritjen ekonomike dhe mundësitë e përparimit në Afrikë”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore bënë gjithashtu thirrje për më shumë mbikqyrje mbi tregjet financiare, si dhe për një përfundim më të suksesshëm të raundit më të fundit të bisedimeve në nivel botëror për heqjen e pengesave për tregtinë. //iç//

XS
SM
MD
LG