Disa nga zyrtarët më të lartë të financave në botë po takohen në Uashington këtë fundjavë për të trajtuar çështje të krizës ekonomike globale.
Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore po zhvillojnë takimet e mes-vitit për të diskutuar kërcënimet nga ngadalësimi global i ekonomisë, rritja e inflacionit dhe trazirat në tregjet financiare.
Sekretari amerikan i Thesarit Henry Paulson u tha ministrave se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje agresive për të penguar ngadalësimin ekonomik të vendit. Por ai paralajmëroi kohë të vështira ekonomike për shkak të çrregullimeve në tregun e shtëpive, çmimit në rritje të energjisë dhe streseve në tregjet financiare.
Dje ministrat e financave nga vendet më të industrializuara të botës zhvilluan bisedime paraprake. Grupi i Shtatëshes nxori një seri rekomandimesh për stabilizimin e rritjes ekonomike dhe për të parandaluar krizat financiare në të ardhmen, duke përfshirë rritjen e transparencës së institucioneve financiare. //rd//