Autoritetet në Kosovë hodhën poshtë sot akuzat e ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte për siç thuhet trafikim organesh të serbëve gjatë luftës në Kosovë.
Këto komente pasuan një kërkesë të organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch që qeveria e Kosovës të nisë hetime të thella lidhur me këto akuza.
Zonja Del Ponte, në librin e saj "Ndjekja" shkruan se 100 deri në 300 persona, shumica civilë serbë, janë dërguar nga Kosova në Burrel të Shqipërisë në qershor të 1999 dhe pasi janë vrarë, organet e tyre janë trafikuar. Sipas saj pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin dijeni për këtë çështje.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë Nekibe Kelmendi tha se është takuar të paktën katër herë me zonjën del Ponte por asnjëherë nuk janë përmendur këto akuza që ajo i quan fabrikime të pastra nga zonja Del Ponte.
Ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës e cila aktualisht është ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, autoritetet zvicerane i ndaluan promovimin e librit në vendlindjen e saj javën e kaluar pasi kjo "nuk është në pajtim me misionin e ambasadores. //rd//