Gjenerali më i lartë amerikan në Irak, Dejvid Petreas, nuk pranoi të caktojë një afat për tërheqjen e trupave nga Iraku, duke u thënë anëtarëve të kongresit se përparimi në atë vend është i brishtë.
Gjenerali Petreas u tha anëtarëve të komisionit të senatit për forcat e armatosura sot në Uashington se deri në korrik Shtetet e Bashkuara duhet të tërheqin 30 mijë trupat shtesë, që u dërguan vitin e kaluar.
Por ai tha se pas kësaj tërheqjeje komandantët në teren duhet të vlerësojnë situatën e sigurisë për 45 ditë para se të vendosin nëse kthimi i trupave do të vazhdojë apo jo.
Gjenerali Petreas tha se gjatë 7 muajve të fundit, që kur ai dhe ambasadori Krakër, dëshmuan para këtij komisioni në Irak është bërë përparim i madh por jo i barabartë në aspektin e sigurisë.
“Sidoqoftë gjendja e sigurisë në disa zona nuk është e kënaqshme dhe sfida të shumta ende ekzistojnë. Për më tepër, ngjarrjet e dy javëve të fundit dhe paralajmërimet e mia të herëpashershme, tregojnë se përparimi i arritur që nga pranvera e vitit të kaluar është ende delikat dhe i kthyeshëm. Gjendja e sigurisë në Irak është më mirë se në shtator kur ne dëshmuam para jush dhe shumë më e mirë se sa para 15 muajsh kur Iraku ishte në prag të luftës civile dhe kur u mor vendimi për dislokimin e trupave shtesë, gjë që gjenerali Petreas e citoi si faktorin kryesor për përmirësimin e gjendjes së sigurisë.”
Gjenerali Petreas dhe ambasadori amerikan në Irak, Rajën Krakër, dëshmojnë sot dhe nesër para komisioneve të kongresit.
Ata thanë se 5 vjet pas ndërhyrjes në Irak, gjendja e sigurisë atje është përmirësuar, por se përparimi i brishtë ekonomik dhe politik mund të jetë i kthyeshëm.
Të dy zyrtarët akuzuan Iranin se mbështet milicitë, që vazhdojnë të rrezikojnë qëndrueshmërinë e Irakut.
I pyetur nga kryetari i komisionit Karl Lëvin, për të dhënë një vlerësim se cili do të jetë niveli i trupave deri në fund të vitit nëse gjërat shkojnë mirë në Irak, gjenerali Petreas nuk pranoi të bënte një vlerësim të tillë.
Ndërkohë, senatori Xhon Mekein, kandidati republikan për president dhe anëtar i këtij komisioni, përsëriti qëndrimin e tij në mbështetje të vazhdimit të misionit amerikan deri sa në Irak të arrihet objektivi, duke theksuar se suksesi në Irak është i arritshëm.
“Ndërsa objektivi i garantimit të sigurisë në Irak, nuk është përfunduar, siç u pa qartë në luftimet e fundit në Basra dhe gjetkë, ne nuk përballemi më me perspektivën e humbjes, madje mund ta hedhim vështrimin nga e ardhmja tek perspektiva reale e suksesit; krijimi i një shteti paqësor, të qëndrueshëm, të begatë dhe demokratik, që nuk përbën kërcënim për fqinjët, por kontribuon në mposhtjen e terroristëve, ky sukses është i arritshëm”.
Senatori Mekein përsëriti qëndrimin e tij se tërheqja e shpejtë e trupave nga Iraku do të ishte një sukses për al-Kaidën në Irak, milicitë e mbështetura nga Irani, madje do ta kthente Irakun në një shtet të dështuar. (ze)