Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit Rozmari Di Karlo thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten një përkrahëse e fortë e Kosovës. Ashtu si në shkurt, kur Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para, të cilat e njohën Kosovën një ditë pas shpalljes së pavarësisë, thotë zyrtarja amerikane, ato vazhdojnë mbështetjen e tyre për shtetin e ri, duke i intensifikuar dhe ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet e tyre me Prishtinën, tani me hapjen e ambasadës amerikane atje.
Rozmari Di Karlo: Ky moment shënon një pikë të rëndësishme në marrëdhëniet tona. Ne synojmë t’i intensifikojmë marrëdhëniet me Kosovën, duke vendosur një ambasadë me një gamë të gjerë programesh. Mendoj se ka pasur përparim shumë të mirë që pas shpalljes së pavarësisë. E mirëpritëm përparimin në drejtim të kushtetutës, në miratimin e ligjeve në përputhje me kërkesat e planit Ahtisari dhe mbarëvajtjen e punës së qeverisë deri tani.
Zëri i Amerikës: Si e gjykoni mbarëvajtjen e deritanishme të procesit për njohjen e pavarësisë së Kosovës?
Rozmari Di Karlo: Mendojmë se edhe në këtë drejtim Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Tashmë mbi 35 vende e kanë njohur Kosovën dhe një numër vendesh të tjera kanë shprehur synimin ta njohin në të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë pikë së pari marrëdhënie me vendet evropiane, e mirëpresim faktin që dy të tretat e Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën, G-7 e ka njohur, vende nga Azia në Afrikë dhe në Amerikën Latine si dhe 7 vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky është përparim mjaft i shpejtë krahasuar me shumë vende të tjera të reja.
Zëri i Amerikës: Serbia ka aktivizuar një oponencë të fortë ndaj njohjes së Kosovës dhe ka arritur një masë suksesi në përpjekjet e saj. Si pritet të evolojë ky proces?
Rozmari Di Karlo: I kuptojmë pikëpamjet që kanë serbët. Kjo nuk është një situatë e lehtë për ta. Prej kohësh kemi shprehur dëshirën që Serbia t’i hedhë sytë nga e ardhmja dhe jo e kaluara dhe se pavarësia e Kosovës është tashmë një fakt i pranuar nga një numër shtetesh. Një numër i konsiderueshëm vendesh do të vazhdojnë kontaktet me Kosovën, por edhe me Serbinë në të ardhmen dhe u bëjmë thirrje autoriteteve dhe popullit serb të shohin përpara dhe të gjejnë mënyra për marrëdhënie me fqinjen e tyre, Kosovën.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi në zhvillimet më të fundit pas takimit të fundit të Natos, ku Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën, por jo Maqedonia, në pritje të zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Greqinë. A ka pasur përparim në këtë proces?
Rozmari Di Karlo: E mirëpritëm nga njëra faktin që të tria vendet përmbushën kriteret për anëtarësim në Nato. E përshëndesim ftesën që morën Shqipëria dhe Kroacia për anëtarësim në këtë aleancë. Ishte zhgënjyes fakti që mosmarrëveshja për emrin, pengoi ftesën për Maqedoninë. Shpresojmë që gjatë javëve të ardhshme, si Greqia edhe Maqedonia të vazhdojnë dialogun që filloi disa muaj para takimit të Natos për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe që do të shohim një zgjidhje të shpejtë. Maqedonia ka punuar seriozisht për reforma në mënyrë që të siguronte anëtarësim në Nato. Aleanca gëzon mbështetje të gjerë në popullatë dhe urojmë që Maqedonia të anëtarësohet së shpejti.
Zëri i Amerikës: Çfarë prisni të realizojnë autoritetet në Shqipëri në mënyrë që të finalizohet anëtarësimi? Çfarë hapash mbeten për t’u përmbushur?
Rozmari Di Karlo: Ende ka hapa për t’u përmbushur. Së pari çdo anëtar i aleancës duhet të ratifikojë anëtarësimin e Shqipërisë dhe ky proces kërkon kohë. Mendoj se të gjitha vendet që përmbushën kriteret për anëtarësim kanë realizuar përparim të konsiderueshëm. Jemi të kënaqur me përparimin që kanë realizuar Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. //bsa//