Lidhje

Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç shpall fitoren e rizgjedhjes


Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç shpalli fitoren e rizgjedhjes së tij në votimet e para që kur kjo republikë e vogël u shkëput nga Serbia para dy vjetësh.

Rezultatet jozyrtare nga votimet e së dielës tregojnë se zoti Vujanoviç ka fituar të paktën 50 përqind të votave të duhura për të shmangur balotazhin. Dy rivalët e tij më të afërt e kanë pranuar humbjen.

Pas numërimit të thuajse gjithë votave, zoti Vujanoviç ka marrë më shumë se 51 përqind. Rivali i tij pro-serb Andrija Mandiç doli i dyti me nën 20 përqind të votave, ndërsa rivali tjetër liberal Nebojsha Medojeviç mori rreth 15 përqind.

Që kur fitoi pavarësinë në vitin 2006, ekonomia e Malit të Zi ka lulëzuar me një rritje vjetore prej rreth 8 përqind. Pakica serbe, e cila përbën rreth 30 përqind të popullsisë, e ka kundërshtuar shkëputjen nga Serbia.

Duke shpallur fitoren, zoti Vujanoviç falënderoi kundërshtarët dhe përkrahësit e tij dhe premtoi se do të ishte presidenti i të gjithë malazezëve.

Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se rreth 70 përqind e popullsisë me të drejtë vote morën pjesë në votime.

Zotin Vujanoviç e ka ndihmuar për fitoren edhe aleanca me kryeministrin Milo Xhukanoviç, i cili është arkitekti i lëvizjes për pavarësi. //bsa//

XS
SM
MD
LG