Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se Shqipëria po zbaton politika të matura makroekonomike dhe strukturore megjithë sfidat e vështira që krijojnë kushtet ekonomike botërore.
Zëvendës drejtori i Bordit Ekzekutiv të Fondit, Murilo Portugal, tha se në vitin 2007, rritja ekonomike u përmirësua dhe inflacioni mbeti brenda objektivit të përcaktuar, megjithë thatësirën dhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe të produkteve ushqimore.
Programi i privatizimit është afër përfundimit por problemi i pazgjidhur i energjisë elektrike doli përsëri në plan të parë, tha zoti Portugal.
Bordi Ekzekutiv i Fondit përfundoi këto ditë një analizë të ecurisë ekonomike të vendit në të cilën arrin në përfundimin se gjatë vitit të kaluar autoritetet shqiptare kanë treguar me politikat e tyre fiskale angazhimin për të ruajtur qendrueshmërinë e çmimeve duke ndihmuar në frenimin e inflacionit.
Fondi Monetar bën thirrje ndërkohë që reforma në sektorin e energjisë elektrike të shihet si përparësi, të rritet niveli i vjeljes së pagesave, të ulen humbjet në transmetimin e energjisë dhe të ngrihen tarifat.
Rritja e çmimit të energjisë këtë muaj, tha zoti Portugal, ishte një element i rëndësishëm fillestar por në këtë drejtim kërkohen përpjekje më të mëdha. //ii