Dhoma e Ulët e parlamentit të Rusisë, Duma, miratoi të premten një ligj, që kufizon aftësinë e të huajve për të investuar në sektorë industrialë, që konsiderohen si strategjikë. Korrespondenti Kollin Mekullah njofton nga Moska se ligji u miratua pak pasi qeveria ruse njoftoi arrestimin e dy ruso-amerikanëve nën akuzat për spiunazh industrial.
Duma miratoi një ligj, që kufizon investimet e huaja në 42 sektorë, që cilësohen si strategjikë, përfshirë prodhimin dhe shitjen e mjeteve ushtarake, industrinë bërthamore, nxjerrjen e burimeve minerale dhe median.
Në bazë të këtij ligji çdo investitor i huaj privat, që dëshiron të blejë më shumë se 50 për qind të një kompanie në sektorët e caktuar, duhet të sigurojë miratimin e një komisioni, i përbërë nga zyrtarë të ekonomisë dhe sigurimit.
Kompanitë e huaja shtetrore duhet të kalojnë nëpër të njëjtën procedurë nëse kërkojnë më shumë se 25 për qind të një kompanie ruse nga lista në fjalë.
Ligji duhet të miratohet gjithashtu edhe nga dhoma e lartë e parlamentit rus si dhe të firmoset nga presidenti.
Nikolai Petrov, studiues në Qendrën Karnegi të Moskës, tha për Zërin e Amerikës se projekt-ligji pasqyron një ndryshim të madh nga 10 vjet më parë kur Rusia kërkonte aktivisht investimet e huaja. Ai thotë se kontrolli shtetëror është i rëndësishëm në politikën e ndjekur në sektorin industrial të Rusisë së kohëve moderne.“Ligji i miratuar nga Duma është pjesë e një seri masash, që synojnë vendosjen e kushteve më të rrepta mbi investimet e huaja në industritë që qeveria synon t’i mbajë nën kontroll” thotë ai.
Projekt-ligji u miratua ndërkohë që ndaj një prej kompanive më të mëdha të huaja të Rusisë filluan hetime intenzive shtetërore.
Në fillim të këtij muaji, dy vëllezër ruso-amerikanë u arrestuan nën akuzat për spiunazh industrial. Njëri u identifikua nga shërbimi shtetëror i sigurimit rus si Aleksandër Zasllavski, anëtar i klubit të diplomuar të Këshillit Britanik. Tjetri, Ilia Zasllavski, ishte menaxher i një ndërmarrje të përbashkët ruso-britanike, TNK-BP.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Interfax, shërbimi shtetëror i sigurimit rus njoftoi se të dyshuarit po mblidhnin informacion sekret për një numër kompanishë të huaja të naftës dhe gazit.
Autoritetet ruse gjithashtu kontrolluan të mërkurën zyrat e kësaj kompanie dhe sekuestruan dokumenta të ndryshme. Me anë të një deklarate në Internet, kompania në fjalë tha se ajo funksionon plotësisht brenda ligjit.
Nikolai Pakomov, gazetar i pavarur politik me qendër në Moskë, thotë se spiunazhi industrial mes konkurrentëve nuk është i pazakontë. “Kjo ngjarrje nuk duhet dramatizuar. Spiunazhi industrial dhe konkurrenca e ashpër midis sektorëve qeveritarë të kompanive të ndryshme ndodh shpesh”.
Kompania TNK-BP përballet me probeleme të tjera. Të premten, agjencia ruse për mbrojtjen e burimeve natyrore, Rosprirodnadzor, njoftoi se do të inspektonte fushën më të madhe naftëmbajtëse Samotlor në Siberi, e cila administrohet nga kompania TNK-BP.Në krye të inspektimit do të jetë Oleg Mitvol, i cili bëri hetime edhe rreth kompanisë Royal Dutch Shell për shkelje të ligjeve të mjedisit në vitin 2006. Kjo kompani ia shiti kontrollin e projektit prej 22 miliardë dollarësh kompanisë shtetërore të gazit natyror Gazprom dhe hetimet morrën fund.
Jevgeni Volk, menaxher në Fondacionin Heritage në Rusi, thotë se hetimet nuk kanë të bëjnë aq shumë me ekologjinë se sa me ekonominë ruse. Ai thotë se pjesë e përpjekjeve të qeverisë është të fitojë kontrollin mbi burimet natyrore të Rusisë.“Në këtë mënyrë elita ruse e politikës së jashtme po përpiqet të marrë përsëri nën kontroll sektorët më fitimprurës të ekonomisë ruse. Sektorët e ekonomisë, që kanë të bëjnë me armët, burimet natyrore dhe naftën janë shumë tërheqëse për qeverinë dhe duhet të kontrollohen”.
Akuzat ndaj kompanisë TNK-BP ngrihen gjatë një periudhe tranzicioni në Kremlin dhe vetëm disa javë para inagurimit të presidentit të ardhshëm Dmitri Medvedev më 7 maj. Presidenti i tanishëm Vladimir Putin pritet të marë postin e kryeministrit. Aktualisht, si zëvëndës-kryeministri i parë i Rusisë, zoti Medvedev është edhe kryetar i bordit të Gazpromit. //IB