Presidenti Bush tha se shtimi i forcave amerikane në Irak ka sjellë si rezultat rritjen e sigurisë në vend. Presidenti tha sot në Dejton të Ohajos, se përforcimet me 30 mijë trupa në Irak kanë përmirësur ndjeshëm gjendjen e sigurisë në vend dhe i kanë hapur rrugën përparimit politik dhe ekonomik.
Presidenti kritikoi ligjvënësit e Partisë Demokrate, që bëjnë thirrje për tërheqjen e trupave, apo vendosjen e afateve, duke thënë se hapa të tillë janë të parakohshëm. Presidenti Bush tha se gjendja në Irak po normalizohet dhe vlerësoi arritjet në fushën e ligjvënies, megjithatë ai paralajmëroi për luftime të ashpra në ditët dhe muajt e ardhshëm. Ai tha se irakianët po angazhohen në luftime të ashpra kundër milicisë dhe kriminelëve në Basra.
Zoti Bush tha se milicia po siguron armë, stërvitje dhe fonde nga Irani, madje shtoi se Irani bashkë me Sirinë duhet të ndalin mbështetjen e dhunës e të terrorizmit në Iraq.
Kryeministri irakian al-Maliki zotohet për ndjekjen e ekstremistëve
Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, është zotuar se do t’i ndjekë penalisht ekstremistët shiitë, përgjegjës për tri ditë luftime në Basra që lanë të vrarë më shumë se 100 vetë. Zoti Maliki deklaroi se qeveria irakiane nuk do të sprapset kurrë në luftën e saj kundër ekstremistëve.
Kryeministri irakian u dha dje një ultimatum kryengritësve shiitë që të dorëzojnë armët deri nesër, ose në të kundërtën do të kenë pasoja të rënda. Ekstremistë të dyshuar shiitë vazhduan sot sulmet kundër zonës së gjelbërt të Irakut, duke vrarë një civil e plagosur 14 tëtjerë. Gjithashtu në Bagdat, dhjetra mijëra pasues të klerikut radikal shiit, Maktada al-Sadr, zhvilluan demonstrata kundër kryeministrit Maliki, si dhe protestuan kundër shtypjes së milicisë, besnike të klerikut.//lk