Autoritetet në Prishtinë i quajnë të papranueshme propozimet e qeverisë së Beogradit për ndarjen e Kosovës në vija etnike. Ata e hodhën poshtë propozimin e ministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, për siç është thënë "krijimin e atmosferës së ndarjes funksionale të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës".
Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tha sot se Prishtina nuk pranon asnjë ide që synon ndarjen e vendit. “Ne nuk pranojmë asnjë ide të askujt për proceset që ata duan t’i bëjnë në Kosovë, qoftë për funksionim apo ndarje të Kosovës . Ajo që ne e kemi përfunduar ka qenë një proces jashtëzakonisht i gjatë, i mundimshëm dhe i përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare. Kosova është e pavarur, pavarësinë e Kosovës e konsiderojmë për të gjithë qytetarët e Kosovës, prandaj dëshirojmë ndihmën e të gjithëve në këtë rrugë”, tha presidenti Sejdiu.
Kryeministri, Hashim Thaçi, tha ndërkaq se Kosova ka institucionet e veta të ligjshme që ushtrojnë autoritetin e plotë në tërë Kosovën, prandaj propozimet e Beogradit janë të papranueshme. “Beogradi një ditë duhet ta kuptojë dhe institucionalizojë këtë të kuptuar në çdo rrethanë, e ritheksoj për Kosovën vendosin institucionet e Kosovës dhe autoritete ndërkombëtare në Kosovë. Integriteti territorial i Kosovës është unik i paprekshëm dhe i njohur i garantuar ndërkombëtarisht. Kosova është vendi më i sigurt dhe i mbrojtur në rajon si shtet”, thotë kryeministri Thaçi.
Propozimi i ministrit Samarxhiq, i cili i është dorëzuar zëvendësshefit të Misionit të kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lary Rossin, dhe që është emëruar si "Marrëveshja e UNMIK-ut me Republikën e Serbisë për zbatimin e përbashkët të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë nga ana e Institucioneve të Përkohshme të Kosovës", parasheh bashkërendimin e veprimtarive në mes të Serbisë dhe UNMIK-ut në fushën e policisë, gjyqësisë, doganave, transportit, trashëgimisë fetare, historike e kulturore.
Zëvendës Shefi i UNMIK-ut Lary Rosin tha sot se letrën e marrë nga ministri Samarxhiç e ka dorëzuar në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara, të cilat ende nuk kanë dërguar një përgjigje. “Kemi diskutuar disa nga elementet e këtij dokument me udhëheqësit tanë në New York por nuk kam marrë ndonjë përgjigje të veçantë. Nuk mund të them diçka më shumë për këtë derisa të marrim një përgjigje nga atje, tha zoti Rossin duke shtuar se plani i qeverisë serbe ka shumë elemente të cilat nuk janë në përputhje me mandatin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Por autoritetet serbe thonë se plani synon zbatimin në tërësi të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e që ende është në fuqi në Kosovë. Në mbrojtje të, siç thuhet, kësaj rezolute dhe kundër pavarësisë së Kosovës sot në veriun e Mitrovicës kanë protestuar disa mijëra pjesëtarë të komunitetit serb. Protesta përfundoi e qetë dhe pas incidente, ndërsa gjendja në këtë pjesë të vendit vlerësohet e qëndrueshme por e tensionuar pas ngjarjeve të një jave më parë që lanë pas vetes një pjesëtarë të policisë të vrarë dhe qindra të plagosur. //bsa//