Lidhje

PNUD-i në ndihmë të zbutjes së papunësisë në Kosovë


Rreth 1100 qytetarë të Kosovës janë të përfshirë në një projekt për punësimi i cili është duke u realizuar nga programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara.

Tetëdhjetë veta janë përfshirë në këtë projekt edhe në komunën e Suharekës në jug perëndim të Prishtinës, 50 për qind prej tyre janë të gjinisë femërore, Merita Isufi përfaqësuese e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara thotë se qëllimi i tyre është që të sigurohen se personat e përfshirë në projekt janë duke përfituar përvojat e duhura dhe të mos jenë më në listën e punë kërkuesve. Kemi një përfshirje edhe të pakicave me rreth 18 për qind, thotë ajo duke nënvizuar se projekti nuk është i përqendruar vetëm në një vend por në tërë Kosovën.

Sipas statistikave, në komunën e Suharekës figurojnë rreth trembëdhjetë mijë punëkërkues, prej të cilëve gjashtë mijë janë femra. Sipas Muharrem Sopajt, përgjegjës i zyrës për punësim në Suharekë, numri i të papunëve mund të jetë edhe më i lartë për shkak se pjesa më e madhe e banorëve të zonës nuk janë të paraqitur për t'u regjistruar në këtë zyrë: "Jo për fat nuk regjistrohen për shkak se pjesa më e madhe e banorëve të Suharekës janë rurale, sidomos ngurojnë gjinia femërore , por edhe nuk kemi perspektivë që ti punësojmë të gjithë ata që kërkojnë punë".

Një nga përfituesit e këtij projekti është edhe fabrika e këpucëve Solid në Suharekë. 21 punëtorë janë angazhuar në këtë fabrikë nga ana e programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ahmet Kuci, pronar i kësaj fabrike thotë se ky projekt ka qenë i mirëseardhur dhe presin edhe në të ardhmen të shtojnë numrin e punëtorëve. "Por megjithatë ne me qendrën e punësimit pavarësisht këto të UNDP ne kemi bashkëpunuar me ta, pothuajse një numër i madhë i punëtorëve ka kalu përmes tyre dhe dmth kanë arritur tek ne, kemi shku ashtu , kemi bërë një përzgjedhje te punëtorët , përzgjedhja ka qenë në bazë familjeve të dëshmorëve , familjeve të varfëra kemi bërë ato përzgjedhje përndryshe jemi të kënaqur me ta."

Papunësia në Kosovë radhitet ndër sfidat kryesore pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Aktualisht sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë arrin në 45 për qind, por autoritetet besojnë se ky numër është shumë më i lartë. Një përqindje e tillë e lartë e papunësisë ka kushtëzuar rrjedhimisht edhe një shkallë të lartë të varfërisë në vend.//rd//

XS
SM
MD
LG