Lidhje

Industria amerikane e fluturimeve reagon ndaj çmimit të karburantit


Kompanitë amerikane po vuajnë çmimet e larta të naftës dhe kanë paralajmëruar se do të pakësojnë shërbimet dhe fuqinë punëtore për tu bërë ballë shpenzimeve. Një ndër kompanitë më të mëdha amerikane, Delta Airlines po ofron tani paketa për të nxjerrë në pension para kohe të gati gjysmës së punonjësve.

Çmimi i naftës për aeroplanët po rritet dhe disa njoftime thonë se kompanitë amerikane paguajnë tani 30 përqind më tepër për karburant se sa më parë. Disa kompani ajrore kanë njoftuar masa për të ulur shpenzimet por këto masa do të prekin natyrisht pasagjerët të cilët do të detyrohen të paguajnë çmime më të larta. ”Nëse çmimet vazhdojnë të rriten, unë nuk do të udhëtoj. Jemi pensionistë dhe nuk kemi mundësi të udhëtojmë me avion,” thotë një udhëtar.

Kompania ajrore Delta, një ndër më të mëdhatë e vendit njoftoi këtë javë se do të ofrojë paketa për nxjerrjen para kohe në pension të atyre punonjësve që duan ta bëjnë këtë. Delta ka rreth 30 mijë punëtorë dhe kjo ofertë i është bërë gjysmës së tyre. "Nuk është një kohë e mirë për kompanitë ajrore. Mendoj se po jetojmë në një kohë të pasigurt me gjithçka që po ndodh me çmimet e naftës dhe me rënien ekonomike në vend,” thotë Eduard Bastian. Delta parashikon të shkurtojë rreth 2000 vende pune.

Holly Hegeman, themeluese e faqes së internetit që merret me analiza biznesi planebusiness.com, thotë se kjo kompani nuk është e vetmja. ”Kompanitë ajrore do të fillojnë të eliminojnë fluturimet në linja pa fitim dhe kjo do të bëjë që të kemi më pak fluturime direkte.” Ndërkohë industria ajrore amerikane mund të preket edhe nga ndryshime strukturore. Kompania me qendër në Hawai, Aloha Airlines shpalli falimentimin duke fajësuar për këtë një kompani konkurrente se kishte ulur çmimet por pa harruar të përmendë edhe çmimet e larta të naftës. Këtë vit, Delta u përpoq të shkrihej me një tjetër gjigant ajror, Northwest Airlines por kjo nuk u arrit. Megjithëse çmimet e naftës këtë javë zbritën disi, ato vazhdojnë të jenë në nivele rekorde. //rd//

XS
SM
MD
LG