Lidhje

SHBA: Masa ndaj 3 punonjësve, kanë parë pa leje dosjet e senatorëve


Departamenti amerikan i Shtetit tha se disa punonjës kanë hyrë pa leje në dosjet kompjuterike që përmbajnë informacione mbi pasaportat e të tre kandidatëve për president.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak tha se incidentet do të hetohen plotësisht nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit. Zoti Mekormak tha se Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs kishte folur me dy kandidatët demokratë, Obama dhe Klinton dhe do të flasë edhe me kandidatin republikan, Xhon Mekein, i cili ndodhet në Paris. Ai tha se të njëjtët punonjës me kontratë që kishin parë dosjen e zotit Obama, kishin parë edhe atë të zotit Mekein.

Zëdhënësi tha se zyrtarët e lartë ishin informuar, vetëm pasi një gazetar kishte telefonuar për të bërë pyetje rreth incidenteve. Departamenti i Shtetit tha se ka pushuar nga puna dy kontraktorë dhe ka marrë masa disiplinore ndaj një të treti, pasi ata kishin hapur pa leje dosjet. Zëdhënësi i fushatës së zotit Obama, Bill Bërton e cilësoi incidentin si “një thyerje serioze të sigurisë dhe privatësisë”.//lk

XS
SM
MD
LG