Lidhje

Kryeministri i Maqedonisë takohet me partnerët e koalicionit


Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, zhvilloi bisedime me partnerët e koalicionit qeveritar, lidhur me ruajtjen e unitetit të qeverisë së tij, pas tërheqjes nga qeveria e koalicionit të partisë shqiptare. Zoti Gruevski u tha sot gazetarëve, se ai nuk do të lejojë ndonjë politikan, apo parti të dëmtojë interesat e popullit maqedonas.

Partia Demokratike Shqiptare u largua dje nga qeveria e koalicionit, duke vënë si kusht përmbushjen e 6 kërkesave që përfshijnë ligjin për UÇK-në dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Ky vendim, të cilin udhëheqësi i Partisë Demokratike e quajti “përfundimtar”, e privon koalicionit në pushtet nga mundësia për të patur një shumicë të vogël në Parlamentin e vendit. Mes kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë është edhe që qeveria e tyre ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Gruevski: Asnjë parti politike dhe asnjë politikan nuk mund t’i dëmtojë interesat e Maqedonisë

Nga Isak Ramadani, Shkup

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, duke folur për krizën e krijuar pas tërjeqjes së Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria, tha të premten se asnjë parti politike dhe asnjë politikan nuk mund t’i dëmtojë interesat e Maqedonisë. Ndërkohë drejtuesit e katër partive kryesore dhe presidenti i vendit Branko Cërvenkobvski u takuan për të gjetur zgjidhje lidhur me këtë krizë dhe për të arritur një konsensus te brendëshëm për integrimin e Maqedonisë në Nato.

Ai u takua me presidentin e vendit Branko Cërvenkovski për të disktuar mbi krizën qeveritare, ndërkohë që në këto momente pritet të fillojë një tjetër takim i drejtuesve të katër partive kryesore ku poashtu do të diskutohet mbi gjendjen e krijuar pas tërheqjes së Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria dhe për çështjen e integrimit të vendit në Nato.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski bëri sot komentet e para pas vendimit të Partisë Demokratike Shqiptare për t’u larguar nga koalicioni qeveritar. Zoti Gruevski nuk foli në mënyrë direkte për PDSH-në por ai i bëri një mesazh popullit të Maqedonisë lidhur me gjendjen e krijuar në vend. Ai tha se në këto kohëra të vështira Maqedonia ka kapacitet që me mençuri të ballafaqohet me të gjitha sfidat.

Zoti Gruevski theksoi se dëshiron t’u thotë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë se nuk do të lejojë që asnjë politikan dhe asnjë parti politike përmes skenareve të ndryshme t’i dëmtojnë interesat e Maqedonisë dhe të popullit të saj. Ai tha se do të veprohet me dinjitet dhe partiotizëm.

Kryeministri ka takuar presidentin Branko Cërvenkovski i cili i ka kërkuar sqarime lidhur me krizën qeveritare por është biseduar edhe për synimet e anëtarësimit të Maqedonisë në Nato. Më pas në mbrëmje ka filluar takimi i katër drejtuesve të partive më të mëdha me pjesëmarrjen edhe të presidentit Cërvenkovski për të gjetur zgjidhje lidhur me krizën politike por dhe për të arritur një konsensus mbi çështjen e emrit të Maqedonisë të kontestuar nga Greqia që po e pengon hyrjen e Maqedonisë në Nato.

Partia VMRO-DPMNE e zotit Gruevski e ka konsideruar për partner strategjik Partinë Demokratike Shqiptare që nga viti 1998 kur këto dy parti bënë koalicionin e parë qeveritar.

Bashkimi Demokratik për Integrim që mbajti një takim në Tetovë për të analizuar gjendjen e krijuar, thotë se qeveria e VMRO-se dhe PDSH nuk është legjitime për të marrë vendime politike, ndërkohë largimin e PDSH-së nga qeveria, BDI e shikon vetëm si një përpjekje për të shtuar besueshmërinë tek elektorati shqiptar.

Analistët vlerësojnë se prishja e koalicionit qeveritar në Maqeodni para takimit të nivelit të lartë të Natos në Bukuresht, kërcënon planet e Maqedonisë për t’u bërë pjesë e Aleancës.

Ndërkohë, sipas ligjeve, nëse Parlamenti nuk e shkarkon qeverinë, kjo e fundit mund të vazhdojë të funksionojë pa marrë parasysh se nuk ka shumicën. Ministrat e PDSH-së duhet t’ia paraqesin dorëheqjet e tyre kryeministrit. Më pas Parlamenti me një nismë qoftë të partive apo të vetë qeverisë mund të mblidhet për ta rrëzuar qeverinë.

Në Shkup qëndruan ambasadorët e Francës, Holandës dhe Danimarkës në Nato. Ata kanë diskutuar me autoritetet më të larta shtetërore për takimin e ministrave të jashëtm të vendeve të Aleancës në Bruksel, për daljen e Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria, ndërkohë që kanë lënë të kuptohet, sipas kabinetit të kryeministrit dhe presidentit të Maqedonisë, se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim.

Është diskutuar edhe për problemin me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë si dhe për gjendjen në rajon. Kryeministri Gruevski ka folur për qëndrimin e tij lidhur me Kosovën duke thënë se me inetres të veçantë po i ndjek zhvillimet dhe se çdo vendim që do të marrin autoritetet e Maqedonisë do të mbështetet para së gjithash tek interesat e qytetarëve të Maqedonisë dhe interesat kombëtare dhe shtetërore të vendit të tij. //iç//

PDSH largohet nga koalicioni qeveritar

Nga Isak Ramadani, Shkup

Kuvendi qendror i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni e zyrtarizoi vendimin e kryesisë qendrore të partisë për t’u larguar nga koalicioni qeveritar më 13 mars 2008. Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi tha se ky vendim nuk bëhet kundër askujt, as kundër shtetit e as kundër rivalëve politikë dhe se kërkesat që partia e tij i kishte paraqitur kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski kishin burimin tek Marrëveshja e Ohrit.

Kuvendi qendror i PDSH-së, organ më i lartë i kësaj partie, e miratoi mbrëmë njëzëri vendimin e kryesisë qendrore për të dalë nga koalicioni qeveritar. Kryetari i partisë Menduh Thaçi tha se prej sot nuk është më pjesë e koalicionit që funksionoi për nëntëmbëdhjetë muaj. Kërcënimet e para pak ditëve që shumëkush nuk i mori për serioze, u bënë realitet. Vendimi është përfundimtar dhe i pakthyeshëm, tha drejtuesi i PDSH-së duke siguruar rivalët politikë se nuk ka hamendje në këtë drejtim:

“Është me rëndësi të vlerësoj se ky vendim nuk drejtohet kundër askujt. As kundër VMRO-DPMNEsë, as kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, as kundër Lidhjes Social Demokrate, as kundër maqedonasve. Kjo mënyrë demokratike në të cilën u mor ky vendim është vetëm pro Maqedonisë, pro integritetit dhe sovranitetit territorial të Maqedonisë, për rrugën integruese drejt organizmave gjithpëtrfshirës ndërkombëtarë siç është NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.”

Zoti Thaçi shpreson se faktorët seriozë brenda vendit dhe miqtë ndërkombëtarë do ta kuptojnë drejtë veprimin e PDSH-së, ndërsa pret mbështetjen ndërkombëtare në rrugën integruese të Maqedonisë . Ai tha pas takimit të Kuvendit qendror se kërkesat që i ishin paraqitur kryeministrit burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Kërkesat e shqiptarëve, vazhdoi më tej kreu i PDSH-së, janë të vjetra shtatëmbëdhjetë vjet, ndërkohë që pranoi se për mosrealizimin e tyre një pjesë të fajit e bartë edhe partia e tij. Kryeministri Nikolla Gruevski pritet të bëjë komentet e para pasi të kthehet nga Brukseli.

Kriza qeveritare mund të çojë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për çka është e interesuar veçanërisht partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim. Që të prishet qeveria, duhet të ngritet një nismë nga së paku njëzet deputetë në Parlament dhe mosbesimi të shprehet nga një shumicë e thjeshtë, përkatësisht 61 deputetë. Por votëbesimi sipas ligjit mund të bëhet një herë në gjashtë muaj dhe vetëm pak muaj kanë kaluar nga mocioni i fundit.

Nga ana tjetër, vetë qeveria mund të kërkojë të shpërbëhet dhe përsëri për këtë të vendosë Parlamenti. Ministrat e PDSH-së duhet të japin dorëheqje. Aktualisht, një ministër i Partisë së Re Social Demokrate është larguar dhe një i Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila po ashtu ka njoftuar braktisjen nga kabineti Gruevski.

Opsionet për të ardhmen e qeverisë janë disa: qeveri e pakicës, qeveri teknike apo qeveri ekspertësh ose qeveri me një bazë të gjerë me pjesëmarrjen e partive kryesore në të. Gjithçka varet nga kryeministri Gruevski. //kk/iç//

XS
SM
MD
LG