Në Shqipëri, incidenti i dhunshëm ku deputeti Tom Doshi qëlloi gazetarin Besar Likmeta, është shoqëruar me reagime të ashpra. Incidenti midis gazetarit Likmeta, redaktor i agjencisë së lajmeve BIRN, dhe deputetit Doshi, anëtar i grupit parlamentar demokristian, ka ndodhur ditën e hënë. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe deputeti socialist, Arben Isaraj. Gazetari Likmetaj është goditur disa herë për shkak të shkrimit të tij, në të cilin akuzon deputetin se me anë të një diplome fallso, ka deklaruar se ka ndjekur studimet në Universitetin e Tetovës.
Por, në 24 orët e fundit ngjarja mori përmasa të mëdha. Filimisht ishte organizata MJAFT, e cila doli në mbrojtje të hapur të gazetarit, e cila organizoi dje edhe një protestë para parlamentit. Pasdite vonë ishte Kryeministri, Sali Berisha, që me anë të një deklarate foli për një akt dhune, duke i kërkuar autoriteteve përgjegjëse "të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm".
Në mbrëmje ishte ambasadori amerikan, John Uidhërs, i cili foli me terma të fortë për atë që ai e quajti "një sulm burracak ndaj gazetarit Likmetaj nga Tom Doshi në prani të deputetit Arben Isaraj", duke nënvizuar se i kishte ndjekur nga afër raportimet për këtë ngjarje: "Këto raportime bëhen akoma më tronditëse për faktin se ata janë të dy anëtarë të parlamentit. Raporti i të drejtave të njeriut i qeverisë amerikane i publikuar vetëm dy ditë më parë e bën plotësisht të qartë se dhuna dhe kërcënimet me dhunë kundër shtypit janë të patolerueshme në një demokraci". Ambasadori Uidhërs shtoi se përshëndeste deklaratën e kryeministrit Sai Berisha për një hetim të plotë të akuzave:
"Pres të shoh shpejt rezultatet e këtij hetimi . Unë i bëj thirrje udhëheqjes politike shqiptare, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vecanërisht kolegëve gazetar të zotit lekmeta që të dënojnë haptas dhe me guxim dhunime të tilla të lirisë së shprehjes që qëndro në themel të një shoqërie të lirë", tha ambasadoti Uidhërs.
Vetë gazetari Likmetaj ka bërë dje denoncim në Prokuorinë e Përgjithshme, ku është ngritur edhe një grup hetimor. Por, marrja në pyetje e deputetit mund të detyrojë prokuorinë që, për t’i shkuar deri në fund ngjarjes, të kërkojë ndoshta heqjen e imunitetit parlamentar të deputetit Doshi.
Parlamentari, i cili u zgjodh me votat e partisë socialiste dhe më pas u rreshtua me demokristianët, nuk është aq i njohur për aktivitetin e tij si deputet se sa për faktin që është njeriu më i pasur i parlamentit shqiptar, me mbi 10 milion dollarë, duke pasur në pronesi një fabrikë prodhimesh farmaceutike dhe një tjetër të prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij.
Pak muaj më parë ai ishte sërish protagonist i një tjetër ngjarjeje të dhunshme, kur në mjediset e parlamentit, goditi deputetin e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Leonard Solis. //af