Lidhje

Mbledhje e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë, hetohet dhuna e javës së kaluar


Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Serbisë po zhvillon një mbledhje, duke u përqëndruar në mënyrën se si veproi policia ndaj sulmeve të javës së kaluar kundër ambasadës amerikane dhe ambasadave të tjera në Beograd.

Protestuesit vunë në shënjestër objektet amerikane dhe disa misione të tjera diplomatike perëndimore në shenjë proteste ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende të botës.

Takimi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë u thirr sot nga presidenti reformist i Serbisë, Boris Tadiç.

Të enjten e kaluar, protestuesit sulmuan ambasadën amerikane në qendër të Beogradit, duke thyer xhamat e dritareve dhe duke i vënë zjarrin një pjese të ambasadës amerikane. Një person humbi jetën gjatë sulmit dhe qindra të tjerë u plagosën në dhunën që pasoi.

Zyrtarët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian kritikuan ashpër përgjigjen e Serbisë dhe po kërkojnë mbrojtje më të mirë të misioneve diplomatike.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sot Polonia njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Po sot, policia në Banja Llukë të Bosnjes veriore përdori gaz lotsjellës kundër një grupi sërbësh, që qëllonin me gurë policët, që kishin bllokuar hyrjen në konsullatën amerikane. Ky grup u shkëput nga një turmë prej rreth 10 mijë serbësh të Bosnjes, që protestonin në mënyrë paqësore kundër pavarësisë së Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG