Lidhje

Nikolas Bërns: Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën


Nënsekretari amerikan i shtetit, Nikolas Bërns tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë ndarjen e Kosovës. Ai tha se këtë nuk do ta pranojë as Europa dhe as NATO-ja. Numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit i bëri komentet mbrëmë në një forum të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington.

Zoti Burns tha se Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën dhe e humbi atë në periudhën mars-qershor të vitit 1999, kur ajo u përpoq të dëbojë 1 milion njerëz nga ai vend. "Kur u miratua rezoluta 12-44 në qershor 1999, ajo në fakt bëri që Kombet e Bashkuara t’ja merrnin Kosovën Serbisë. Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën. Që nga qershori 1999 e deri kohët e fundit, pyetja e vetme që është shtruar ka qenë: cili do të ishte statusi përfundimtar i Kosovës, do të ishte ajo e pavarur apo autonome dhe kur do të ndodhte kjo. U deshën 9 vjet që kjo pyetje të merrte përgjigje dhe rreth një vit më parë Shtetet e Bashkuara erdhën në përfundimin thelbësor se nëse e vononim ende pavarësinë e Kosovës, atëhere mundësia më e madhe do të ishte që kjo të provokonte dhunë dhe mungesë qendrueshmërie në Ballkan."

Zoti Burns tha se pavarësia ka qenë alternativa e qartë dhe përfundimtare qysh vitin e kaluar kur Presidenti Ahtisari bëri propozimin e tij. Nënsekretari i shtetit vlerësoi lart udhëheqjen në Prishtinë për faktin që ajo tregoi vetpërmbajtje. "Ne kemi parë në Prishtinë një udhëheqje të jashtëzakonshme e cila u rezistoi një mijë provokimeve me të cilat u përball. Ata e mbrojtën popullsinë serbe, kishat dhe trashëgiminë e tyre. Ata nuk e kaluan lumin Ibër për të shkuar në veri të Mitrovicës ashtu siç dëshironin serbët dhe serbët e Kosovës. Ata janë treguar të përmbajtur."

Zoti Bërns kritikoi ashpër Beogradin për “retorikë sharëse” që, siç u shpreh ai, “të kujton një epokë tjetër në Serbi”. "Të enjten e kaluar ne pamë një sulm huliganësh kundër ambasadës sonë në Beograd. Pamë policinë që të zhdukej dhe situata e krijuar ishte tmerrshme sepse disa diplomatë amerikanë mbetën të bllokuar në ambasadë për disa orë me radhë dhe ne nuk e dinim se cili do të ishte fati i tyre. Mu desh të merrja në telefon kryeministrin e Serbisë të cilit i thashë: hape televizorin te CNN-i dhe shiko se ç’po ndodh me ambasadën tonë! Duhet të dërgosh forcat e policisë atje! Dhe më në fund ata e bënë këtë."

Serbët duhet të kuptojnë se ata duhet të shikojnë nga e ardhmja, duhet të kuptojnë se Europa dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të kenë marrëdhënie tregtare dhe politike me ta, duan që ata të jenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, tha nënsekretari i shtetit Bërns. E kanë gabim ata serbë, shtoi ai, të cilët sulmuan 8 ambasada javën e kaluar apo njerëz si ministri i qeverisë serbe për Kosovën Samarxhiç, i cili gjatë fundjavës tha se ishin Shtetet e Bashkuara që e krijuan këtë problem.

Zoti Bërns u tregua i prerë në komentet e tij lidhur me zërat se mund të ketë një ndarje të Kosovës. "Mund t’ju them se ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës. As Kombet e Bashkuara, as Bashkimi Europian dhe as NATO-ja nuk do ta pranojnë atë. Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm dhe këtë njohim ne. Nëse Serbët e Kosovës apo serbët në Beograd mendojnë se ata mund ta ndajnë Kosovën, ata e kanë gabim."

Zoti Burns tha se në Kosovë nuk do të ketë konflikt të armatosur por do të ketë paqe. Kombet e Bashkuara, tha ai, besojnë në tërësinë e tyre se rruga përpara është ajo e paqes dhe e qendrueshmërisë. Është e nevojshme, tha nënsekretari i shtetit Bërns, që Serbia të bashkëpunojë me autoritetet kosovare dhe anasjelltas. Gjithashtu, është e nevojshme që të mbrohen të drejtat e serbëve të Kosovës, që ata të qendrojnë në Kosovë, të mbrohen kishat dhe objektet e tyre të trashëgimisë.

Nuk besoj se ka ndonjë që të ketë sugjeruar seriozisht se zgjidhja është forca, tha zyrtari i lartë amerikan. Ne të gjithë besojmë, tha ai, se kompromisi dhe bashkëpunimi politik është rruga për të ecur përpara. Nuk do të kishte më keq për shqiptarët e Kosovës, tha zoti Bërns, nëse ata do t’u përgjigjeshin provokimeve të hapura në veri të lumit Ibër. Por ne kemi parë durim dhe një udhëheqje mjaft të sofistikuar në Prishtinë, gjë që na ka bërë shumë përshtypje, theksoi nënsekretari amerikan i shtetit.

Duke iu përgjigjur disa qendrimeve të Rusisë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, zoti Bërns tha: "Ishim ne ata që qendruam në Kosovë gjatë 9 viteve të fundit me trupat dhe me paratë tona e të Europës ndërsa Rusia u largua para katër vjetësh. Ishim ne ata që i kërkuam Kombeve të Bashkuara të emëronin një të dërguar të posaçëm – Presidentin Ahtisari – për të zgjidhur të ardhmen e Kosovës. Pastaj, me kërkesën e Rusisë ne e shtymë njohjen e Kosovës për pothuajse një vit. Bisedimet shtesë nuk dhanë rezultat prandaj ne morëm vendim logjik për të njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu si edhe 30 vende të tjera në Europë si dhe shumë vende në botën myslimane. Mendoj se Rusia është mjaft e izoluar," tha zoti Bërns.

Nënsekretari i shtetit shprehu keqardhje për deklaratat e ambasadorit të Rusisë në NATO, i cili pak ditë më parë kërcënoi për përdorim force lidhur me Kosovën. Ma merr mendja se ky ishte një gabim i tij sepse ai nuk është diplomat profesionist dhe është i ri në këtë detyrë, tha zoti Bërns. E megjithatë, shtoi ai, Rusia nuk e përgënjeshtroi deklaratën e tij. //ii

XS
SM
MD
LG