Mijëra palestinezë formuan një zinxhir njerëzor në Rripin e Gazës, për të protestuar kundër bllokadës së Izraelit ndaj territorit të kontrolluar nga Hamasi. Rreth 5 mijë fëmijë dhe të rritur i lidhën sot duart, duke formuar një kordon përgjatë një autostrade që lidh Rafahun, në kufirin e Gazës, me Egjiptin, deri në Beit Hanun, në Gazën Veriore.
Mijëra trupa izraelite qëndruan përgjatë kufirit, për të parandaluar rrezikun e çarjes së kordonit të sigurisë. Por demonstrata, e organizuar nga Hamasi dhe përkrahësit e tij, përfundoi pa ndonjë incident.
Muajin e kaluar, militantët e Hamasit hynë me forcë përmes kufirit në Rafah, duke lejuar dhjetra mijëra palestinezë të hynin në Egjipt, për të blerë mallra, që nuk gjendeshin në Gazë, për shkak të bllokadës së Izraelit. Tel Avivi thotë se bllokada është e nevojshme, për të ushtruar presion ndaj militantëve, që t’i ndalojnë sulmet e tyre me raketa ndaj Izraelit.//lk