Lidhje

Zgjedhjet 2008: Reklamat e kandidatëve dhe partive politike


Votuesve në Shtetet e Bashkuara u ofrohet një numër të ashtuquajturash ‘vendime blerëse’ gjatë procesit të zgjedhjeve presidenciale. Nëpërmjet reklamave të ndryshme, personeli i fushatave presidenciale paraqet përpjekjet e kandidatëve të tyre për të fituar zgjedhjet për në Shtëpinë e Bardhë.

Kandidatët presidencialë e njohin publikun me integritetin e tyre personal dhe qëndrimet rreth politikave të ndryshme, ngjashëm me përpjekjet e shitësve për të reklamuar artikujt e tyre.

Në 10 shkurt të vitit 2007, senatori Barak Obama njoftoi kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale. Ajo ngjarrje në Springfilld të shtetit Ilinoi është shndëruar në një video fushate, në të cilën shikohen fytyra të buzëqeshura, njerëz të entuziazmuar dhe senatori që flet para grumbullit të njerzve; të gjitha këto janë futur në një video me qëllim për të shtuar entuziazmin dhe mbështetjen për kandidaturën e senatorit Obama.

Procesi i bindjes së votusve shpjegohet nga analisti Brajën Darling në grupin e pavarur kërkimor, Fondacioni Heritixh këtu në Uashington.

“Njëri hap është që kandidati të bëhet tërheqës, për të bërë që votuesit të duan të votojnë për të. Por është gjithashtu shumë e rëndësishme që këta kandidatë të shprehin parimet e tyre, shumë interesante e të pranueshme nga votuesit”.

Dhe këto pozicione duhet të bëhen të qarta dhe të mbahen mënd me lehtësi nga votuesit, thotë strategu demokrat i mediave, Pitër Fen.

“Mesazhi i kandidatit duhet të jetë i qartë, konçiz, dhe të krijojë lidhje me votuesin; duhet të jetë në kontrast me kandidatin rival, duke pasqyruar epërsitë e kandidatit përkundrejtë dobësive të rivalit. Mesazhi duhet të përsëritet shumë herë”.

Me qëllim që të nxisin entuziazëm për një kandidat, strategët krijojnë sllogane, që tërheqin vemendjen dhe përcjellin qëndrimet e kandidatit, madje mund të ngjiten në pjesën e mbrapme të veturës.

Analisti Brajën Darling citon shembuj nga zgjedhje të mëparshme dhe zgjedhjet e tanishme.

“Presidenti Bill Klinton, për shembull, përdorte frazën, ‘Është ekonomia, more idiot’, ose presidenti i parë Bush, kur tha ‘Dëgjoni me vemendje: Jo taksa të reja’. Pra kandidatët përdorin fraza tërheqëse. Tani Barak Obama po përdor vetëm një fjalë: ‘Ndryshim’.

Reklamat politike duhet të krijojnë dhe të menaxhojnë me kujdes valën e entuziazmit për të arritur kulmin në momentin që votuesit marrin vendimin për të votuar.

“Koha është tepër e rëndësishme në politikë. Fjalimet janë shumë të rëndësishme, ashtu siç janë të rëndësishme manifestimet dhe fushatat për pjesëmarrjen në zgjedhje të sa më shumë votuesve. Ideja është që entuziazmi të rritet vazhdimisht dhe të arrijë kulmin në ditën e zgjedhjeve”, thotë analisti Pitër Fen.

Por për të fituar zgjedhjet për në Shtëpinë e Bardhë, si partia demokrate edhe ajo republikane duhet të bëjnë më shumë se sa të tërheqin përkrahësit e tyre. Ato duhet të tërheqin edhe zgjedhësit e pavarur, që votojnë për atë kandidat që mendojnë se është më i miri. Në fund të fundit, janë votuesit e pavarur, dhe as të majtët e as të djathtët, që përcaktojnë fituesin në zgjedhjet e nëntorit. (ze)

XS
SM
MD
LG