Lidhje

Celine Dion me një album të ri


“Taking chances”, është albumi më i ri i Celine Dion, e cila po përgatitet dhe për një turne botëror. Ylli i muzikës pop, ka kënduar për 5 vjet në Las Vegas, dhe tani po bëhet gati të nxjerrë një regjistrim të ri në treg. Në prag të 40 vjetorit të saj, Dion thotë se ndjehet në formë, dhe kush mendon se ajo po plaket e ka gabim sepse ajo është në momentin më të mirë të jetës së saj.

“Taking chances’ titullohet albumi i fundit i Celine Dion. Këngëtarja e cila është në prag të të 40-ve, tashmë ka një jetë të plotë. Artiste, bashkëshorte, nënë dhe mikeshë. Këto janë 4 aspektet që prej vitesh mishërohen në jetën e Celine Dion. Fragmente të kësaj jete u shfaqën nga stacioni televiziv CBS në një reportazh special për të, të titulluar: “Celine Dion: That’s the Woman in me”.

Mbas një periudhe 5 vjeçare që ka kënduar në Las Vegas, Dion ka vendosur të hedhë në treg një album të ri, dhe të nisë një turne botëror. “Las Vegasi ishte një eksperiencë e mrekullueshme, por unë qëndrova 5 vjet larg industrisë së muzikës. Megjithëse këndoja në skenë isha larg industrisë, kështu që vendosa të rikthehem” – tha në një intervistë në janar ylli i muzikës pop.

Në albumin e saj të ri, Dion ka një duet me një prej emrave më të lakuar për momentin në industrinë e muzikës, Josh Groban, duet për të cilin Dion thotë se është mjaft entuziaste. Për më shumë se 10 vjet Dion, bashkëshorti i saj dhe djali i tyre 7 vjeçar, jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por për Dion, Kebeku do të mbetet përherë shtëpia e saj. “Është bukur të jetosh në Amerikë, ne kemi një shtëpi në Florida, por rrënjët e mia janë në Kebek. Më pëlqen ekuilibri në jetën time, kështu që mendoj se të jetosh në Amerikë pa harruar se nga je, është vërtetë ekuilibër.”

Në Mars, Celine Dion mbush 40 vjeç , një moshë të cilën ajo e merr me shumë optimizëm: “Jam në një moment shumë të mirë. Është një shprehje: ‘Më e mira vjen pas kësaj moshe’. Nuk mendoj se numrat tregojnë jetën tënde. Kur isha 20 apo 30 vjeç unë shpalosa momente dhe arritje të caktura në jetën time. Jam mësuar ta marr jetën si më vjen, dhe të lë pas gjërat që nuk më pëlqejnë. Po mbush 40 vjeç, dhe ju them, prisni, tani kam filluar”. Turneu i saj botëror nis me koncertin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut, dhe vazhdon me koncertet në Japoni, Kore, Britani, Australi, Belgjikë, Francë, Irland, Holland, Finland, Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Kanada, dhe përfundon me kocertet në SHBA, në muajin janar të vitit 2009. //rd//

XS
SM
MD
LG