Lidhje

Udhëheqësit e Kosovës të bindur se në Kosovë do të ruhet qetësia


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehu besimin se në Kosovë do të ketë qetësi ndërsa Presidenti Fatmir Sejdiu tha se premtimi i Natos se nuk do ta braktisë Kosovën është garanci për qëndrueshmërinë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehu besimin se në Kosovë do të ketë qetësi dhe u angazhua për të punuar për marrëdhënie të mira me fqinjët. Ajo që ndodhi në Beograd, tha zoti Thaçi, ishte shenjë e së kaluarës së Serbisë dhe shprehu dëshirën për të parë një Serbi që lë pas të kaluarën dhe shikon drejt së ardhmes. "Mesazhi im për serbët në Serbi është të shohin përpara dhe të heqin dorë nga mentaliteti i së kaluarës, i periudhës së Millosheviçit. Pamjet e protestave në Beograd i përkisnin kohës së Millosheviçit. Ato nuk ishin veprime kundër popullit të Kosovës, apo vetë Kosovës. Ato ishin veprime kundër botës demokratike."

Kryeministri Thaçi u bëri thirrje serbëve të Kosovës të vazhdojnë angazhimin në institucionet e Kosovës. "Mesazhi im për serbët e Kosovës është të vazhdojnë të angazhohen në institucionet e Kosovës. Kosova është atdheu i të gjithëve. Unë po punoj me të gjithë për një të ardhme më të mirë për atdheun tonë. Serbët e Kosovës, e ardhmja e tyre është e lidhur drejtpërdrejt me Prishtinën, prandaj u bëj thirrje të bashkohen me vizionin tonë për një Kosovë të re, e cila të bëhet në të ardhmen pjesë e BE-së dhe Natos".

Ndërkohë Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në komentet që bëri dje tha se premtimi i Natos se nuk do ta braktisë Kosovën është një garanci e rëndësishme për qëndrueshmërinë. "Unë mendoj se ekziston një partneritet i fuqishëm, në radhë të parë dhe i vendeve të BE-së dhe i Shteteve të Bashkuara, dhe i gjithë vendeve që janë në kuadër të komponentes së përbashkët të Natos në Kosovë. Dhe është në mandatin e Natos që të sigurojë integritetin territorial të Kosovës," tha zoti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu paralajmëroi Serbinë se çdo përpjekje për të ndarë Kosovën në vija etnike do të kishte “pasoja të rënda” për rajonin.

Protestat e ditëve të fundit kanë zgjuar shqetësime për vazhdimin e dhunës. Zyrtarët serbë kanë thënë se protestat përputhen me përpjekjet e tyre për të sfiduar pavarësinë e Kosovës. Por në zonat me shumicë serbe në Kosovë, udhëheqësit lokalë serbë u kanë bërë thirrje autoriteteve në Beograd të zbusin retorikën për të mos vënë në rrezik jetët e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG