Lidhje

Kosovë: Autoritetet paralajmërojnë të mos ndërmerren akte dhune


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë akuzuan udhëheqësit politikë të serbëve lokalë për incidentet e djeshme në kufirin verior me Serbinë, ndërsa i bënë thirrje Beogradit të përmbahet nga deklaratat që nxisin veprime të dhunshme. Këto komente pasuan zhvillimet e djeshme në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku grupe protestuesish serbë shkatërruan postat kufitare në veri.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s mbyllën dy vendkalimet kufitare duke shënuar kësisoj ndërhyrjen e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës që u prite me zemërim nga pjesëtarët e komunitetit serb. Komandanti i forcave paqeruajtëse gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac tha se incidenti i djeshëm është nxitur nga udhëheqës të serbëve lokal në veri. “Disa udhëheqës vendas morrin përgjegjësi të madhe dje duke përfshirë gra dhe fëmijë në ato veprime dhe duke i rrezikuar ata, tha gjenerali de Marnhac, duke tërhequr vërejtjen se nuk do të tolerohet asnjë veprim i dhunshëm. Dua që të gjithë ta kenë parasysh përkushtimin tim për të mbajtur një mjedis të sigurt në tërë Kosovën”, tha gjenerali de Marnhac.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se siguria, paqja dhe qëndrueshmëria janë në shkallën më të lartë, ndërsa incidenti i djeshëm sipas tij është veprim i izoluar pa asnjë ndikim në realitetin pozitiv të Kosovës. Incidentet e djeshme janë cilësuar si të ligjshme nga ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë Sllobodan Samarxhic.

Autoritetet në Prishtinë thanë se Beogradi duhet të përmbahet nga deklaratat që nxisin veprime të dhunshme dhe kjo sipas shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker është në kundërshtim edhe më zotimet e vet Beogradit. “Qeveria serbe është e detyruar edhe nga zotimi i saj që të përmbahet nga të gjitha aktet që mund të shihen si nxitje e dhunës dhe kjo ishte qartazi dhunë”, tha zoti Ruecker.

Për kryeministrin Thaçi deklarimet e ministrit serb i takojnë së kaluarës. “Janë deklarime që nuk përputhen fare me realitetin e ri në Kosovë. Është mentalitet i së kaluarës dhe Kosova është e interesuar dhe po punon për të sotmen dhe të ardhmen e përbashkët për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

KFOR-i po mban nën kontroll pikat kufitare në veri por zyrtarët thanë se nuk do të shtojnë numrin e trupave në këtë zonë ku tensionet vazhdojnë të jenë të larta për shkak të reagimeve të ashpra të serbëve kundër pavarësisë së Kosovës por edhe kundër vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian. //ad//

XS
SM
MD
LG