Lidhje

Tadiç zotohet të ruajë sovranitetin serb mbi Kosovën


Presidenti i Serbisë Boris Tadiç është zotuar të ruajë sovranitetin serb mbi Kosovën, duke nënvizuar ndërkaq përpjekjet për ta drejtuar vendin drejt Bashkimit Evropian. Udhëheqësi serb e bëri këtë zotim në Beograd, ku bëri sot betimin për fillimin e mandatit të dytë presidencial pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Ceremonia e betimit zhvillohet ndërkohë që udhëheqësit e Kosovës përgatiten të shpallin pavarësinë brenda pak ditësh.

Më pas zoti Tadiç la të kuptohet se Serbia do të kufizojë, por nuk do të shkëpusë plotësisht marrëdhëniet me vendet që njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, udhëheqësit e komunitetit serb në Kosovë njoftuan planet për të krijuar një trup të veçantë legjislativ në Kosovë, për të cilin do të zhvilloheshin zgjedhjet më 11 maj. Ata u bënë gjithashtu thirrje serbëve të Kosovës të organizojnë të hënën demonstrata për të protestuar ndaj pavarësisë.

Në Uashington, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se një formë pavarësie e mbikqyrur do t’i shërbente paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. //rd//

XS
SM
MD
LG