Lidhje

Pas seancës në Këshillin e Sigurimit, qëndrimet e Perëndimit dhe Rusisë për Kosovën mbeten të njëjta 


Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic i tha të enjten Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Beogradi do të bëjë të gjitha përpjekjet, përveç përdorimit të dhunës, për të parandaluar shkëputjen e Kosovës. Këshilli u takua me kërkesën e Serbisë të enjten para shpalljes së pritshme të pavarësisë të dielën.

Zoti Jeremic thotë se Serbia do të përdorë ndikimin e vet diplomatik, ekonomik dhe politik për të minuar planet e Kosovës për pavarësi. Por ministri i jashtëm serb thotë se Beogradi do t’u përmbahet premtimeve të mëparshme për të mos përdorur forcë për të penguar shkëputjen e Kosovës të dielën.

Beogradi i ka ofruar Kosovës autonomi, por thotë se pavarësia shkel ligjin ndërkombëtar dhe prek tërësinë territoriale të Serbisë.

Serbia dhe aleatja e saj kryesore, Rusia thonë se pavarësia do t’i hapte rrugën një vale përpjekjesh për shkëputje territoresh të tjera të pakënaqura në gjithë botën.

Zoti Jeremic thotë se beson që shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit favorizon vazhdimin e negociatave:

“Serbia ka vullnetin që të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, një zgjidhje e pranueshme si për ne, si për shqiptarët e Kosovës. Zgjidhje të tilla janë të mundshme. Nuk është hera e parë në histori që është e vështirë të gjendet një zgjidhje. Por do të ishte hera e parë në histori që komuniteti ndërkombëtar thotë se do të ishte shumë e vështirë që kjo të realizohet, kështuqë duhet të ndërpresim përpjekjet”.

Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Ambasador Alejandro Wolff përsëriti pas takimit se qëndrimin amerikan:

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i qartë. E kemi thënë edhe më parë. Ne besojmë se plani Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur, është mënyra e duhur për të siguruar mirëqenien dhe të ardhmen si të kosovarëve, edhe serbëve dhe për të bërë të mundur hyrjen si të Kosovës dhe Serbisë në rrugën e institucioneve Euro-Atlantike”.

Ambasadori britanik John Sawers thotë se nuk ka shpresa që të dyja palët të arrijnë ndonjë marrëveshje:

“Përsa i takon Britanisë, Kosova është një rast unik për shkak të rrethanave në të cilat u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999 dhe faktit që ka një rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurimit, 1244 që bën thirrje për një proces politik që të çojë në një status përfundimtar të Kosovës”.

Por përfaqësuesi rus, ambasadori Vitaly Churkin tha pas takimit se duhet të vazhdojnë bisedimet dhe foli ashpër për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Bashkimin Evropian:

“Kemi disa anëtarë të Këshillit që po ndjekin një politikë të caktuar për Kosovën. Janë Shtetet e Bashkuara dhe disa anëtarë të Bashkimit Evropian. Në Këshillin e Sigurimit, mes anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, ata nuk kanë fare mbështetje”, tha ai.

Diplomatë nga dhjetra vende hynë sallën e Këshillit të Sigurimit për të dëgjuar debatin, duke dëshmuar kështu për interesin e madh për këtë çështje.//kk//

XS
SM
MD
LG