Lidhje

Presidenti Topi për bashkëpunimin e vendeve ballkanike


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi sot se Ballkani do të ketë gjatë këtij viti një realitet të ri politik me pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e miqësisë midis vendeve fqinje. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me diplomatët e huaj në Tiranë, të organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare. “Viti 2008 do të ofrojë shumë shpejt një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Ne jemi të përgatitur për këtë. Një Kosovë e pavarur, një shtet me të gjitha tiparet e një subjekti të pavarur ndërkombëtar, i cili do të mbështetet vendosmërisht nga Shqipëria. Forcova bindjen, sidomos mbas vizitës sime në Kosovë, se Kosova është shumë afër deklarimit të pavarësisë në koordinim të ngushtë me aleatet e saj ndërkombëtarë, se numri i vendeve që do të njohin këtë subjekt të ri politik do të jetë i konsiderueshëm në fillim dhe do të rritet në vazhdim” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi theksoi se faktori shqiptar, kudo ku gjendet në Ballkan, po punon vetëm për qëndrueshmëri dhe paqe. “Qeveria e Kosovës ka dhënë të gjitha garancitë praktike për respektimin dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare sidomos ato serbe, se pavarësia e Kosovës është çelësi i sigurisë afatgjatë dhe të qëndrueshme në rajon dhe i vëmendjes së investimeve të mëdha të huaja në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pavarësia e Kosovës nuk është më një problem për zgjidhje, ajo është një proces euroatlantik që ka nevojë të mirëkuptohet sidomos nga fqinjët e saj. Shqipëria do të ndihmojë që Kosova të kapërcejë sa më parë me sukses sfidën e saj të njohjes ndërkombëtarisht, të forcojë stabilitetin e saj të brendshëm ekonomik dhe politik dhe të bëhet pjesë e proceseve integruese të rajonit” - tha zoti Topi.

Në takimin me diplomatët, ai u shpreh optimist edhe për zgjerimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin me Beogradin, derisa rruga e përbashkët është familja europiane. “Fitorja e Presidentit Tadiç në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ndonëse e ngushtë, përveçse dha një pasqyrë të një ndarjeje politike të dukshme të shoqërisë serbe, i dha atij të drejtën kushtetuese të orientimit evropian të këtij vendi të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor. Ne të gjithë duhet të interesohemi, të debatojmë dhe të nxisim dimesionin ekonomik të bashkëpunimit rajonal si një paradhomë e domosdoshme e integrimit në Bashkimin Evropian” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi tha se Shqipëria po ecën mirë edhe në reformat zgjedhore dhe ato në sistemin e drejtësisë, duke plotësuar kërkesat e publikut shqiptar dhe atë bashkësisë ndërkombëtare. “Shqipëria e konsideron procesin e rëndësishëm “Adriatik 3” si mekanizmin kryesor integrues dhe bashkëpunues në hapat drejt NATO-s. Ne mbetemi shume seriozë në respektimin e këtij programi si shembull bashkëpunimi të suksesshëm rajonal, por duke besuar gjithashtu se ftesa që ne kërkojmë nga Samiti i Bukureshtit do të bazohet sidomos në mekanizmin kryesor për vlerësimit të kandidaturave mbi performancën individuale të cdo vendi kandidat” - tha zoti Topi. Shqipëria po mban shpresa të mëdha se do të marrë në prill një ftesë për antarësim në NATO. Autoritetet shqiptare besojnë se përfshirja e Shqipërisë dhe e vendeve të rajonit në NATO dhe Bashkimin Europian nga një anë dhe pavarësia e Kosovës në anën tjetër, do të sjellin një paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në Ballkan. //rd//

XS
SM
MD
LG