Lidhje

Glassman: SHBA nuk duhet të përdorin propagandë në përpjekjet diplomatike


James Glassman, zyrtari që Presidentit Bush caktoi për drejtuar programet e diplomacisë publike, thotë se ai do të punojë për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara të jenë të afta për t’iu kundërvënë me agresivitet mesazheve islamike ekstremiste. Por në një seancë dëshmish para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ku u diskutua për emërimin e tij, zoti Glassman, që në këtë detyrë mban postin e Nënsekretarit të Shtetit për Diplomacinë Publike, tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përdorin propagandë në këto përpjekje.

Zoti Glassman, i cili ka punuar në mediat e shkruara dhe ato elektronike, thotë se këtë vit që ka mbetur nga qeverisja e administratës së Presidentit Bush, ai do ta shfrytëzojë për t’u përqëndruar tek lufta e ideve, duke përdorur teknologjitë e reja. Duke e cilësuar këtë si “një angazhim global ideologjik”, ai citon anketimet e publikut të kryera në vendet myslimane, ku, mes të tjerash, 1 në çdo 5 të anketuar, ishin të mendimit se politikat amerikane synojnë dobësimin dhe përçarjen e botës myslimane. Koncepte të tilla, thotë ai, burojnë drejtpërdrejt, nga ajo që ai e quan, doktrina bazë e Al Kaidës dhe shton se ajo duhet luftuar duke shfrytëzuar Internetin, transmetimet ndërkombëtare të financuara nga qeveria amerikane dhe programet e shkëmbimit në fushën e arsimit dhe të kulturës. "Ne duhet të angazhohemi në një mënyrë shumë më të fuqishme, gjë që jemi duke e bërë, por duhet të bëjmë më tepër në fushën e luftës së ideve, duke shpjeguar se çfarë jemi duke bërë, duke iu kundërvënë gënjeshtrave që thuhen dhe perceptimeve të gabuara.”

Po çfarë mund të bëni, në kushtet kur ka mbetur më pak se një vit për të realizuar këto që thoni? iu drejtua atij një ligjvenës. Duke ju përgjigjur kësaj pyetjeje të ligjvënësit demokrat Bill Nelson, zoti Glassamn tha se Shtetet e Bashkuara duhet të luftojnë me agresivitet ndaj keqinformimit dhe të përpiqen për t’iu kundërvënë perceptimit, se Amerika nuk do t’ja dijë, apo nuk merr parasysh pikëpamjet e vendeve të tjera.

Kjo nuk do të jetë diçka e lehtë, thotë ai, përballë një ideologjie e cila bazohet tek shtrembërimi i Islamit. Ai shton se “You Tube” dhe një tjetër faqe kompjuterike e Departamentit të Shtetit për të biseduar në Intrenet, janë mes instrumenteve që po përdoren tani dhe ai bën thirrje për përdorimin më të madh të atyre që ai ai i quan, zëra të besueshëm myslimanë. Kur senatori demokrat Robert Menendez pyeti në se diplomacia publike, duhet, sipas fjalëve të tij, “ t’i thotë gjerat ashtu siç janë”, zoti Glassman tha se ne“duhet të tregohemi të ndershëm”, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë propagandë”.

Anëtari demokrat i Komsisionit, senatori Russ Feingold, përmendi kritikat e drejtuara ndaj përpjekjeve të diplomacisë publike të Shteteve të Bashkuara: "Megjithatë, siç jeni edhe ju në dijeni, kjo zyrë është kritikuar se ka patur një strategji të dobët komunikimi, e cila ve në pikëpyetje aftësinë e saj për të realizuar misionin e vet të rëndësishëm". Zoti Glassman thotë se përpjekjet amerikane kanë vuajtur nga mungesa e bashkëpunimit mes agjencive qeveritare. Ai u zotua se do të ndihmojë për rindërtimin e një strukture të diplomacisë publike, për të cilën ai thotë se u shkatërrua gjatë viteve ’90, kur as republikanët dhe as demokratët nuk i kushtonin rëndësi.

Para emërimit të tij, zoti Glassman ka punuar për 7 muaj si Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Transmetimeve, BBG, që mbikqyr transmetimet ndërkombëtare që financohen me fondet e qverisë amerikane, mes tyre edhe Zëri i Amerikës. Gjatë viteve të fundit, BBG është përpjekur përherë e më tepër t’i kanalizojë fondet e dhëna nga Kongresi për progamet e radios dhe ato televizive, që drejtohen ndaj botës myslimane, ndërsa ka shkurtuar ndjeshëm transmetimet në anglisht, që përdorin frekuencat në valë të shkurtëra.

Në postin e nënsekretarit të shtetit për diplomacinë publike, zoti Glassman pason Karen Hughes, këshilltare afërt e Presidentit Bush, i cili kur ajo u largua nga ky post, vitin e kaluar, tha se ajo kishte patur sukses në transforminin e diplomacisë publike, duke e bërë atë një përparësi. Megjithatë, kritikët theksojnë se zonja Hughes dhe disa nga paraardhësit e saj, nuk kanë qenë të ekfektshëm, në luftën kundër perceptimeve negative për Shtetet e Bashkuara dhe politikat e ndjekura prej tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG