Votuesit amerikanë shkuan dje në qendrat e votimit në mbi 24 shtete amerikane, duke u dhënë fitore të rëndësishme dy kandidatëve kryesorë për President. Por ishte kampi republikan ai që doli me kandidatin dominues mbrëmë, me fitoret në masë që siguroi Senatori Xhon Mekein. Megjithatë, edhe dy kandidatët e tjerë në garë siguruan fitore në një numër shtetesh. Delegatët e të dyja partive mblidhen pas disa muajsh në kuvendet partiake ku llogaritet numri total i votave në bazë të fitoreve të siguruara në shtete individuale.
Konkurenti kryesor republikan, Senatori Xhon Mekein mori më shumë vota dhe siguroi më shumë delegatë se rivalët e tij. Në momentin kur ai foli para përkrahësve, ishte e qartë se Mekein kishte fituar ose pritej të siguronte fitore në shtetet kryesore të garës. "Sonte mendoj se duhet të mësohemi me idenë se kemi siguruar epërsi në garën për Presidentin e Shteteve të Bashkuara."
Mit Romni fitoi në një numër shtetesh më të vogla me një numër më të vogël delegatësh, pasi në garën republikane ai që siguron shumicën e votave në një shtet siguron mbështetjen e të gjithë delegatëve të tij.
Senatorja Hilari Klinton fitoi në shtetet kryesore mbrëmë dhe në komentet për përkrahësit ajo e përqëndroi mesazhin në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit: "Na jepni mundësi të shërojmë këtë komb, të drejtojmë botën dhe të kapim këtë moment historik. Jemi gati!"
Senatori Barak Obama siguroi fitore në një numër më të madh shtetesh, dhe meqë në garën demokrate, kandidatët sigurojnë delegatë në përpjestim të drejtë me votat që marrin, ai do të vazhdojë të jetë konkurrencë për Senatoren Klinton: "Ne duhet të zgjedhim ose ndryshimin, ose vazhdimin e kësaj politike. Ne duhet të zgjedhim të shohim pas ose të ecim përpara."
Zgjedhësit shkuan në votime në të gjithë vendin, në qytete të mëdha, si dhe në shtetet jugore dhe qendrore me popullsi të rrallë. Në bazë të këtyre votave shtetet do të dërgojnë numrin përkatës të delegatëve në kuvendet kombëtare, të cilët do të votojnë për kandidatin që kanë zgjedhur banorët e shtetit. Votimet u zhvilluan mbrëmë në 24 shtete të shpërndara në të gjithë Shtetet e Bashkuara që nga Bregu i Paqësorit e deri në Oqeanin Atlantik.
Majk Hakabi ishte në Arkansa me të shoqen për të votuar. Ish-guvernatori i këtij shteti siguroi fitore në 5 shtete, dhe ishte fituesi i parë i natës së mbrëmshme, duke marrë votat e votuesve në Virxhinian Perëndimore: "Ishte një fitore e madhe për ne. Ne vendosëm që në fillim të javës të shkonin në këtë shtet. E dinim që fushata e zotit Romni kishte shpenzuar shumë para atje."
Ish guvernatori Mit Romni votoi në shtetin e tij Masaçusets dhe siguroi votat e këtij shteti pa problem.
Ndër demokratët Xhorxhia u shpall që herët si fitore e Senatorit Obama. Votuesit afrikano-amerikanë në shtetet jugore, si në Xhorxhia dhe Alabama ndihmuan që Obama të siguronte fitore të mëdha. Senatori nga Ilinoi votoi në shtetin e tij në fillim të ditës dhe siguroi fitoren në atë shtet. Senatorja Klinton së bashku me të shoqin ish-Presidentin Bill Klinton votuan në shtetin e tyre të Nju Jork: "Është një përvojë shumë emocionuese që hedh sot votën këtu." Zonja Klinton fitoi pa problem në Nju Jork dhe siguroi fitore edhe në Masaçusets, megjithëse Obama kishte marrë mbështetje nga figura të njohura të familjes Kenedi në këtë shtet.
Senatori Xhon Mekein shpenzoi një pjesë të ditës së djeshme në Nju Jork, një shtet që tradicionalisht përkrah demokratët në zgjedhjet e përgjithshme. "Do të bëjmë fushatë në të gjithë këtë shtet madhështor dhe nuk do t’ia lëshojmë fitoren askujt."
Shteti i Kalifornisë ishte trofeja kryesore me numrin më të madh të delegatëve për të dyja partitë. Zonja Klinton parashikohej të fitonte për demokratët, ndërsa Senatori Mekein për republikanët. Megjithëse analistët thonë se Senatori Mekein ka siguruar një mbështetje të konsiderueshme, Zoti Hakabi ka marrë fitore në një numër shtetesh dhe është betuar të vazhdojë garën. Të njëjtën gjë bëri edhe Romni: "Një gjë është e qartë sonte – Fushata vazhdon," tha zoti Romni.
Zgjedhjet paraprake dhe votimet partiake do të vazhdojnë gjatë javëve të ardhshme në 8 shtete të tjera. //ad//