Lidhje

Kryeministri Thaçi u bën thirrje për kthim serbëve të Kosovës


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u bëri thirrje sot serbëve të zhvendosur nga Kosova që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Gjatë një vizitë në një familje serbe në fshatin Rubovc të komunës së Lipjanit, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, kryeministri Thaçi u zotua se qeveria e tij do të bëjë punë të mirë për të gjithë qytetarët e vendit pavarësisht nga përkatësia etnike dhe Kosova do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve të saj me mundësi dhe të drejta të barabarta.

Kryeministri Thaçi u tha banorëve serbë të këtij fshati, ku jetojnë 49 familje të këtij komuniteti, se Kosova po ndërton rendin demokratik, tolerancën ndëretnike, me synime të qarta për zhvillim ekonomik.

Afrimi i fundit të procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës ka shtuar shqetësimet e qytetarëve serbë, të cilët nuk pajtohen me mundësinë e pavarësisë së vendit.

Udhëheqësit politikë të Prishtinës u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë, që të mos frikësohen nga pavarësia e Kosovës, ndërsa Beogradit, që të heqë dorë nga trysnia që ushtron mbi pjesëtarët e komunitetit serb që të mos integrohen në jetën politike të vendit.//lk

XS
SM
MD
LG