Lidhje

Zgjedhja e gruas për të riprodhuar


Vendimi i një gruaje se kur duhet ose jo të ketë fëmijë, të vazhdojë apo ndërpresë një shtatëzani, të birësojë apo të japë një fëmijë për adoptim, është shpesh i vështirë dhe çdo zgjedhje ka dhe anën e kundërt të saj. Faiza Elmasry e Zërit të Amerikës bisedoi me bashkautoret e një libri të ri, i cili shpjegon kompleksitetin dhe pasojat e marrjes së vendimeve nga gratë për të vazhduar ose jo të riprodhojnë jetën.

Si shkrimtare të librave të letërsisë artistike, Karen Bender dhe Nina de Gramont gjithmonë kanë besuar tek fuqia e historisë që ato rrëfejnë në krijimet e tyre. Kur ato vendosën që të shkruajnë për mundësitë e riprodhimit të jetës tek gratë, gjithsesi ato vendosën që të tregojnë histori të vërteta. Ato grumbulluan dhe redaktuan 24 histori të shkruara nga gra, të cilat jepnin aty experiencat e vërteta të jetëve të tyre. “Historitë e shkruara ishin kaq personale dhe të vërteta sa na befasuan si mua ashtu dhe Ninën” Karen Bender i referohet një eseje me Titullin “ Në qoftë se...” shkruar nga Susan Ito. “’Në qoftë se’ është një shkrim për eksperiencën që ka përjetuar ajo nga një abort në muajt e vonë të shtatëzanisë. Ajo pati një sëmundje të quajtur toksemi, e cila shoqërohet me hipertension gjatë muajit të 5-të. Ajo ishte në prag të paralizës. Duhej të abortonte pavarësisht se nuk e donte këtë gjë”.

Aborti është vetëm një prej ekperiencave të paraqitura në përmbledhjen me titull Zgjedhje: Histori të vërteta lindjesh, Kontraceptivët, Steriliteti, Birësimi, Prindër të pamartuar, dhe Aborti. Në esenë “Bartja e brengës” Bender thotë se Janet Ellerby që e ka shkruar tregon kur ajo ishte shtatëzënë për herë të parë, rreth viteve 1960 kur ishte në moshën 16 vjeç. “Atë e dërguan një shtëpi për nënat e pamartuara. Ajo pati një fëmijë dhe u detyrua që ta jepte për birësim, dhe ka ndjerë tërë jetën e saj keqardhje për këtë gjë”. Bender ka vendosur në këtë libër dhe një eksperiencë të sajën. Në esenç e shkruar prej saj me titull”Aksidentet”, ajo paraqet historinë e gjyshes së saj që u hodh nga shkallët, për të abortuar fëmijën e saj të pestë, i cili ishte babai i Benderit. Ajo gjithashtu tregon për një tezen e saj, e cila ishte sëmurur mëndërisht, duke menduar që asnjë në familje nuk donte që ajo të kishte ardhur në jetë. Më pas, Bender flet për frikën e saj rreth shtatëzanisë dhe zgjedhjen e saj e cila është të mos ketë fëmijë. “Po vazhdoja studimet pasuniversitare. Pata pasiguri me kontraceptivët e përditshëm dhe shkova të marr tabletën që siguron mos mbetjen shtatzënë dhe pas aktit. Mjekja në klinikë ishte grua, dhe refuzonte të më jepte këtë tabletë. Atëherë unë e mora mjekimin nga një burrë mjek në spital, i cili ma dha tabletën shumë thjesht. Kjo më bëri të shoh se si të tjerët vendosin për ty se çështë e drejtë dhe jo e drejtë”.

Bashkautorja tjetër e librit, dhe shoqja e saj Nina de Gramont, ndan eksperiencën e saj gjithashtu në këtë libër. “Eseja ime e quajtur ‘Fëmija i ujshëm’ flet për dy shtatëzanitë e mija, e para e të cilave përfundoi në abort, dhe kjo më ndryshoi pikpamjen time për shtatëzaninë dhe abortin.Përpara se të mbesja shtatëzënë kam qenë absolutisht pro zgjedhjes nga gruaja nëse duhet të mbaj fëmijën apo jo. Mbas dështimit të pavullnetshëm, ishte e vështirë që mos ta vija shenjën e barazimit të kësaj eksperience me një abort .Në shkrimin tim unë dua të flas se si politikisht ende e mbështes abortin, por nga pikpamja personale kam ndjenja kontradiktore rreth abortit dhe asaj çka politika e quan personaliteti i një njeriu që kur është fetus.”

Duke redaktuar shkrimet e të tjerëve, De Gramont, ka parë nga afër se sa të komplikuara janë ndjenjat mbasi është marrë vendimi për atë çka është bërë.”Mother’s day in the year of the Rooster” e shkruar nga Ann Hood, thotë ajo, ishte shumë emocionuese. Hood tregon dhimbjen e humbjes së vajzës së saj 5 vjeçare, mbas një forme gripi të provokuar nga një infeksion. Më pas ajo në mënyrë kronologjike tregon udhëtimin e saj në Kinë për të adoptuar një vajzë të vogël. “Ajo flet me shumë dhimbsuri për njerëzit në Kinë të cilët braktisin fëmijët e tyre. Përpara se të lexoja shkrimin e saj i paragjykoja ashpër njerëzit që bënin një akt të tillë. Por mbasi lexova esenë e saj, më bërë të kuptoja se njerëzit që e bëjnë këtë, nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër”. De Gramont dhe Bender thonë se ato shpresojnë që përmbledhja e këtyre eseve do të ndihmojë lexuesit të kuptojnë se asnjë zgjedhje nuk është absolutisht e drejtë apo e gabuar. Gjithcka varet nga rrethanat e gruas në momentin kur vendos. Dhe pavarësisht nëse ndjejnë keqardhje apo jo më pas në jetën e tyre, autoret thonë se, këto gra kanë qenë kurajoze kur kanë bërë zgjedhjen e tyre, dhe kur pranojnë të ndajnë eksperiencat e tyre me të tjerët. //rd//

XS
SM
MD
LG