Afrimi i datës së ceremonisë së çmimeve Oscar, i dha përgjigje pozitive pjesmarrjes së skenaristëve në këtë ceremoni. Ata do të hartojnë tekstin e mbrëmjes më të rëndësishme kinematografike jo vetëm për Amerikën, duke shënuar kështu një kompromis mes skenaristëve grevistë dhe studiove televizive. Po në këtë rubrikë do të flasim edhe për një prej filmave më të sukseshëm të këtij viti i cili titullohet “The Bucket List”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar nuk do të ketë fatin e ceremonisë së Çmimeve Globi i Artë. Skenaristët kanë vendosur që të marrin pjesë në këtë ceremoni, dhe do të hartojnë tekstin e mbrëmjes së madhe. Marrëveshja e arritur nuk i jep fund kërkesave të skenarisëtve të Hollivudit, ku pika më e panegociueshme mes shoqatës së tyre dhe përfaqësesve të studiove televizive është e drejta e autorësisë për shitjet dhe shkarkimet e filmave dhe programeve televizive në internet.
Bisedimet e javës së kaluar mes përfaqësuesve të sindikatës së skenaristëve dhe disa prej studiove televizive nuk arritën që të zgjidhin përfundimisht ngërçin e krijuar që prej muajit nëntor, muaj në të cilin ka nisur dhe greva e skenaristëve.
Producentët e ceremonisë Oscar, kishin parashikuar një program alternativ në se skenaristët refuzonin të bashkëpunonin dhe po përgatisnin një program me historikun 80 vjeçar të çmimeve Oscar. Por duket se ky plan është anashkaluar tashmë, pasi skenaristët do të punojnë për mbrëmjen e madhe të 24 shkurtit, duke shpëtuar nga dështimi një prej ngjarjet më të rëndësishme të artit kinematografik në botë.
Jack Nicholson dhe Morgan Freeman, janë dy protagonistët e filmit “The Bucket List”, i cili po shfaqet suksesshëm në kinematë amerikane. Dy fitues të çmimit Oscar, janë vendosur në këtë komedi, nga regjizori Rob Reiner, në rolin e dy njerëzve të cilët vuajnë nga kanceri, por që nuk pranojnë që t’i nënshtrohen fatit. Ata arratisen nga spitali, me një listë dëshirash dhe gjërash që duan të bëjnë përpara se të vdesin. Mbasi takohen në të njëjtën dhomë spitali, dy personazhet kuptojnë se ndajnë të njëjtën dëshirë: të konsumojnë gjërat të cilat nuk kanë mundur t’i bëjnë dot deri tani, por dhe të arrijnë të kuptojnë realisht se cilët janë me të vërtetë. Miliarderi - Edward Cole- ( interpretuar nga Jack Nicholson) dhe mekaniku i thjeshë – Carter Chambers - ( interpretuar nga Morgan Freeman), nisin udhëtimin e jetës së tyre, përmes të cilit arrijnë të bëhen miq dhe të mësojnë se si të jetojnë jetën në çdo sekondë të saj.
I pyetur për bashkëpunimin e këtyre dy emrave të mëdhenj të kinemasë amerikane regjizori Rob Reiner thotë se “Nicholson është si uragan, ai çdo moment e shpjegon, përjeton dhe punon me pasion, dhe kjo është e dukshme në karakterin e tij.
Përballë Nicholson është Morgan Freeman, i qetë, dhe i cili arrin të përmbajë gjithë atë temperament që ekziston në natyrën e tij. Mendoj se ky kombinim është spektakolar”. I shfaqur në kinematë amerikane që prej 11 janarit, ky çshtë ndër filmat që po siguron ndër të ardhurat më të larta nga numri i shitjes së biletave. Prej datës 15 shkurt, filmi “The Bucket List” do të shfaqet dhe në Europë, duke nisur nga Britania.