Lidhje

Festivali i filmave Sundance dhe prirjet e tij ndërkombëtare


Festivali i filmave Sundance në Park City të shtetit Utah, ishte skena kryesore për filmat e rinj dhe ata të pavarur amerikanë. Vitet e fundit, ky festival ka marrë një prirje gjithnjë e më ndërkombëtare. Këtë vit, 47 nga 207 filmat e paraqitur ishin të huaj. Është një numër i vogël, por siç njofton korrespondentja Sheri Quinn, ai ka filluar të lërë gjurmët e veta në industrinë e filmit:

Në botën e festivaleve të filmave, Sundance dallohet për një arsye të veçantë, thotë një nga hartuesit e programit, John Nein. “Identiteti i festivalit Sundance ka të bëjë me zbulimin e të resë. Të krijosh një identitet si festival, mund të jetë vlera më e madhe”.

Nein dhe kolegia e tij, Caroline Libresco janë kërkues filmash. Ata udhëtojnë në gjithë botën në kërkim të filmave dhe autorëve të rinj për t’i sjellë në festival. “Pjesë e misionit tonë është që të zgjerojmë konceptin që kanë njerëzit për kinemanë, por njëkohësisht ne duam që filmat ta tërheqin audiencën. Ne përpiqemi që të gjejmë ato lloj filmash që edhe hapin një botë të re para njerëzve, por edhe me të cilët ata të identifikohen. Është një mision disi i mjegullt. Nuk është një metodë shkencore”, thotë ajo duke qeshur.

Në industrinë e filmit, është e ditur përgjithësisht se parashikimet për filmat që do të kenë më shumë sukses në kinema, janë thjesht hamendje. Garancitë janë edhe më të pakta kur bëhet fjalë për filmat e huaj. Zonja Libresco se ato përbëjnë vetëm tre për qind të filmave që shfaqen në kinematë amerikane. Sundance po përpiqet ta rrisë këtë numër duke dërguar përfaqësuesit e vet kudo në botë si edhe duke shtuar çmime të reja për kinemanë botërore. “Në disa raste ka filma të huaj që vendosin një lidhje emocionale me audiencën amerikane, ose mund të luajnë rol në ngjalljen e një interesi të ri për një lloj kinematografie, siç ndodhi me atë spanjolle para një dekade dhe mendoj se disa nga filmat që shfaqëm ne përfituan dhe kontribuan në këtë prirje. E njëjta gjë po ndodh tani në Argjentinë dhe Meksikë”.

Andrew O’Heir, që mbulon filmat e pavarur dhe të huaj në revistën elektronike, Salon.com thotë se çdo vit një film i festivalit Sudance arrin suksesin në kinema, përsa i takon shitjes së biletave. Ai nuk është i sigurt se cilin prej atyre të këtij viti do ta ketë këtë fat. Por shton se kjo nuk është pyetja më e rëndësishme. “Askush nuk vjen për të marrë pjesë në Sundance vetëm për të nxjerrë fitime. Ne jemi këtu falë dashurisë për filmat. Ky është një nga tiparet e veçanta të këtij festivali. Megjithatë është edhe një lloj tregu dhe gjithmonë është dikush që përpiqet të identifikojë për të filmin e radhës që do të shndërrohet në një triumf artistik dhe që do të ketë sukses në tregun e filmave”.

Opereta irlandeze Once, “Një herë e një kohë” që u shfaq për herë të parë vjet në Sundance ishte një shembull i tillë. Shiti bileta që kapën shifrën e 30 milionë dollarëve dhe u admirua si nga kritikët ashtu edhe audienca. Por bëhej fjalë për një përjashtim.

O’Heir thotë se industria e filmit të pavarur amerikan është një krizë, kryesisht sepse studiot e mëdha po mbizotërojnë ekranin e kinemave me prodhime të Hollivudit.

Përveç thithjes së më shumë filmave të huaj, Carolinë Libresco thotë se Sundance po merret edhe me tërheqjen e dokumentarëve. “Në Amerikë po rritet ndërgjegjësimi për dokumentari si një formë filmi që mund të kesh interes ta shohësh dhe mund të themi se Sundance ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxjerrjen në pah të dokumentarit”.

Dy tema kryesore të dokumentarëve të këtij viti kanë qenë mjedisi dhe kriza humanitare në Afrikë. //ii

XS
SM
MD
LG