Lidhje

Shkencëtarët në kërkim për "Tokë" të tjera


Një grup astronomësh ka zbuluar më shumë se 250 planete të reja në sisteme diellore shumë të largëta. Dhe midis tyre mund të ketë një planet të ngjashëm me Tokën tonë.

Këta janë gjuetarët e planeteve. Ata janë pjesë e një grupi shkencëtarësh që gjurmojnë nëpër galaktika për botë të reja. Kur vjen puna për të zbuluar planete, Don Pollacco nga Universiteti Queen në Belfast të Irlandës Veriore, është i pari. Në fakt, ai dhe grupi i tij ka zbuluar nëntë botë të reja deri tani. Ai drejton një sistem për zbulimin e planeteve të quajtur, Këndi i Kërkimeve të Planeteve që njihet shkurt me emrin SuperWASP.

Ky është zbulimi i fundit i grupit – një planet masiv në orbitë rreth diellit të një galaktike tjetër nga e jona. SuperWASP ka dy teleskopë, një në ishujt Kanari dh enjë tjetër në Afrikën e Jugut. Çdo natë kapaku i tyre hapet dhe teleskopët fotografojnë qiellin çdo 30 sekonda. Në një periudhë prej 10 minutash, secili prej tyre kap dritën e 3 presje 5 milionë yjeve.

Grupi zbuloi planetet përmes një teknike të njohur si metoda tranzit. Drejtuesi i grupi Don Pollacco i Universitetit Queen. "Me fjalën tranzit duam të themi planetet që lëvizin përpara yjeve të tyre. Planetet janë shumë larg dhe nuk mund të shihet një pikë e zezë që lëviz mbi sipërfaqen e një disku apo të një ylli, por ajo që shohim ne është efekti i dritës – planeti bllokon disi dritën që vjen nga një yll dhe ajo që shohim ne është se ylli venitet pak dhe pastaj ndriçon pak më shumë kur planeti largohet". Të gjithë planetet e zbuluar deri tani janë të mëdhenj, të gaztë, më shumë si Jupiteri sesa Toka. Por astronomi Pollacco thotë se kjo do të ndryshojë. "Për momentin ne po kërkojmë për planete të mëdhenj përreth yjeve të ngjashëm me diellin. Ndoshta pas disa vjetësh do të jemi në gjendje të kërkojmë edhe për planete më të vegjël si Toka".

Ndërsa kërkimi për një planet të ngjashëm me Tokën intensifikohet, një grup tjetër shkencëtarësh i është afruar këtij zbulimi. Ata zbuluan ujë në atmosferën e një planeti që është 63 vite drite larg. Giovanna Tinetti është astronome në Universitetin e Londrës. Ajo drejton grupin që zbuloi ujin në planet. Ai ndodhet shumë pranë diellit të tij dhe është shumë i nxehtë për ta bërë të banueshëm por zonja Tinetti nuk është aspak e zhgënjyer. "Vërtet mendoj se po jetojmë në një moment të shkëlqyer për astrofizikën. Çdo ditë apo çdo javë zbulohet diçka e re. A do të zbulohet një Tokë e dytë? Jam shumë e sigurtë se brenda pesë vjetësh do të zbulohen planete të ngjashme me Tokën".

Kur flitet për gjetjen e jetës në univers, motua e Nasës është “ndiq ujin”. Jonathan Tennyson është fizikant në Universitetin e Londrës. Ai pohon se uji është kryesori por shton se atmosfera e planetit mund të japë më shumë informacione. "Ajo është shumë e rëndësishme - një atmosferë ku kimikisht nuk ka ekuilibër tregon se ka aktivitet në sipërfaqen e planetit dhe kjo është shumë interesante". Kërkimi për planetë mund të tërheqë imagjinatën, por në se shkencëtarët zbulojnë një Tokë të dytë, çfarë do të përfitonte njerëzimi?

Përsëri astronomja Giovanna Tinetti. "Fakti që po studiojmë planete që janë të ngjashëm ose të ndryshëm nga planeti ynë, do të na ndihmojë për të kuptuar më mirë Tokën".

"Kjo i përgjigjet ekzistencës njerëzore – a jemi një formë unike e jetës në një univers të madh apo jemi në fakt vetëm një shembull i shumë jetëve të tjera." Ndërsa ekspertët bëjnë hartën e kozmosit, ka disa lajme të mira për astronomët. "Po i afrohemi një kohe të artë. Zbulimet, zbulimet e vërteta në fund do të bëhen nga njerëz të tjerë. Edhe ata mund të jenë astronomë amatorë që do të vazhdojnë kërkimet." Pra në këtë betejë të kulmeve të shkencës, kushdo është i mirëpritur t’u bashkohet kërkimeve për një Tokë tjetër. //rd//

XS
SM
MD
LG