Lidhje

Numri i aborteve në Shtetet e Bashkuara pëson rënie të ndjeshme


35 vjet më parë Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori vendimin që çoi në ligjësimin e abortit në Shtetet e Bashkuara, vendim që edhe sot është temë debatesh. Por një studim i ri tregon se numri i aborteve me ndërhyrje kirurgjike ka rënë ndjeshëm.

Studimi i gjerë tregon se abortet me ndërhyrjen e mjekut në Shtetet e Bashkuara kanë rënë me 25 përqind që nga viti 1990. Studimi u krye nga Instituti Gatmakër, organizatë kërkimore që përqëndrohet tek çështjet e shtimit të popullsisë. Studjuesit intervistuan çdo mjek dhe klinikë, që kryen aborte në Shtetet e Bashkuara. Dhe ndërsa shkalla e aborteve ka rënë, studjuesit nuk mund të përcaktojnë arsyen, megjithatë ata ofrojnë disa teori.

Gratë kanë në dispozicion më me lehtësi masa kontraceptive, mes tyre edhe ilaçin e njohur si hapi i mëngjesit, një kontraceptiv emergjent, që i ndihmon gratë menjëherë pas marrëdhënieve të pambrojtura seksuale. Një faktor tjetër është numri i mjekëve, që kryejnë aborte, veçanërisht në zonat rurale. Rejçëll Xhons, është një prej studjuesve të Institutit Gatmakër.

“87 përqind e komunave në Shtetet e Bashkuara nuk kanë mjek, që kryen aborte dhe 35 përqind e grave jetojnë në këto komuna”.

Zonja Xhons thotë se rënia e numrit të aborteve mund të tregojë se gratë, që duan të abortojnë mund të mos e kenë këtë mundësi, por faktorë të tjerë për rënien mund të jetë shtimi i informacionit rreth seksit dhe disponimi i kontraceptivëve.

Qendrat për kontrollin e grave shtatzanë po ashtu mund të kenë ndikuar. Ato u rekomandojnë grave të shkojnë në klinika për të bërë analizën me ultratinguj, gjatë së cilës gruaja shikon fetusin e saj. Një gjë e tillë, thonë studjuesit, shpesh bën që gratë të vendosin të mos abortojnë.

Një teori tjetër ka të bëjë me ndryshimet shoqërore. Lindjet jashtë martese nuk stigmatizohen më.

Në filmin Juno, një adoleshente shtatzanë konsideron të abortojë, por më vonë vendos të lindë. Studjuesi i shkencave politike, Xhon Siri, thotë se filmi Juno pasqyron një ndryshim kulturor në vend.

Por studimi i Instutit Gatmakër gjeti gjithashtu një shtim të madh në përdorimin e kontraceptivit i njohur si RU-486.

Tani 13 përqind e grave, që duan të abortojnë përdorin ilaçe aborti në vend të ndërhyrjes kirurgjike.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar, Instituti Gatmakër thotë se më shumë vende përjetuan rënie të abortove të ligjshme se sa ngritje.

Rënia më e madhe ndodhi në Evropën Lindore, Azinë qëndrore dhe në Kinë, ku abortet kanë qënë më të lartat në botë. (ze)

XS
SM
MD
LG