Lidhje

Ministri Stankoviç: Jetën tonë do ta drejtojmë pa dëgjuar Beogradin


Ministri për kthim dhe komunitetet në qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviç, thotë se përparësi e punës së tij është kthimi i serbëve të zhvendosur në qytetet e Kosovës, meqë deri tani nuk është punuar në kator projekte. Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, ministri Stankoviç thotë se nuk e dëgjon Beogradin, por angazhohet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e sistemit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, cilat janë përparësitë e punës suaj në këtë ministri duke pasur parasysh që ajo përballet me një fushë mjaft të vështirë siç janë kthimi i të zhvendosurve dhe pozita e komuniteteve pakicë në Kosovë?

Boban Stankoviç: Përparësitë në vitin 2008 do të dallohen nga përparësitë e ministrisë së mëparshme, meqë kemi përgatitur një projekt urban që deri tash nuk ka pasur. Pra krahas kthimit individual dhe kolektiv, do të punojmë edhe në projektet urbane.

Zëri i Amerikës: Por cilat janë mundësitë për realizimin e këtyre projekteve?

Boban Stankoviç: Meqë situata politike, mund të them lirisht se është zbutur në këtë periudhë të dy apo tri vjeçare, janë krijuar kushtet që të fillojmë edhe me projektet urbane. Mendoj se për këtë do të kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës dhe tërë komunitetit ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, po ku do të përqendroheni më shumë, e kam fjalën në cilat qytete?

Boban Stankoviç: Do të fillojmë me një projekt provë në kryeqytet dhe atje ku mendojmë se mund t'i kthejmë njerëzit që janë ndjekur dhe e kanë lëshuar Kosovën në vitin 1999. Mendoj se krahas Prishtinës, do të jenë edhe Mitrovica, Gjilani, Peja dhe Prizreni. Këto janë qytetet ku janë krijuar kushtet për kthim, pra për kthim në zonat urbane për të cilat po flas.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, a keni para për realizimin e këtyre projekteve sepse deri tash paratë kanë qenë një prej problemeve themelore që e kanë penguar këtë proces?

Boban Stankoviç: Krahas buxhetit të konsoliduar të Kosovës, do të kemi edhe ndihmën e komunitetit ndërkombëtarë dhe shpresoj të Bashkimit Evropian kur të vendoset në Kosovë. Është punë e jona që ato para t'i sigurojmë për kthimin ne zonat urbane.

Zëri i Amerikës: A keni trysni në punën tuaj?

Boban Stankoviç: Po. Sikur në çdo punë dhe veçanërisht në këtë pozitë. Ju e dini se qeveria e Serbisë ka bërë thirrje që të mos dilet në zgjedhjet e fundit. Ne kemi dalë. Unë jam anëtar i Partisë së Pavarur Liberale dhe kemi vendosur të marrim jetën tonë në duart tona dhe për këtë çështje nuk e dëgjojmë shumë Beogradin, sepse nuk e di Beogradi se si e kemi ne këtu nga një largësi prej 400 kilometrash. Ne jemi të vetëdijshëm se në çfarë drejtimi po shkon shoqëria e Kosovës dhe duhet t'u përshtatemi kushteve në të cilat jetojmë dhe duam integrimin në të gjitha institucionet e sistemit në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, a mundet kjo trysni e ushtruar nga Beogradi, ta pengojë këtë proces të kthimit të personave të zhvendosur?

Boban Stankoviç: Natyrisht që mundet, sepse shumica e të zhvendosurve është në Beograd. Ka në Mal të Zi dhe në Maqedoni, por shumica është në Serbi dhe nëse nuk kemi bashkëpunimin e Beogradit, përkatësisht me Qendrën Bashkërenduese, nuk do të arrijmë të bëjmë shumë për këtë çështje. Ka dëshirë të madhe tek njerëzit që të kthehen në vatrat e tyre shekullore, por nëse ndeshem me pengesa atëherë rezultati do të jetë më i vogël apo shumë i vogël sesa synimet që kemi planifikuar për t'i përmbushur gjatë këtij mandati.

Zëri i Amerikës: A keni mbështetjen e institucioneve vendase në Kosovë dhe sa kanë bërë ato deri tash për realizimin e këtyre projekteve për kthimin e personave të zhvendosur?

Boban Stankoviç: Më duhet të them se gjykuar nga numri i të larguarve nga Kosova, një numër i vogël është kthyer deri tash dhe në këtë kuptim nuk jemi të kënaqur me kthimin. Megjithatë, kjo qeveri është e vendosur dhe kemi zotime të forta të qeverisë dhe kryeministrit Hashim Thaçi se do të përshpejtohet procesi i kthimit të serbëve në vatrat e tyre. Prandaj mendojmë se kjo qeveri shumë më shumë, shumë më mirë do të kthejë serbët në vatrat e tyre. Nuk është e nevojshme vetëm të kthehen njerëzit por edhe sigurimi i mjeteve themelore për jetë dhe punë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, institucionet, pjesë e të cilave jeni edhe ju, mund të marrin së shpejti një vendim për pavarësinë e Kosovës. A do të jeni ju pjesë e këtij vendimi? Çfarë do të jetë pozicioni juaj?

Boban Stankoviç: E dini si? Unë këtu përfaqësoj komunitetin serb. Mua në këtë vend më kanë deleguar votuesit serb dhe unë e kam për detyrë që interesat e tyre t'i përfaqësojë në qeverinë e Hashim Thaçit. Por për neve nuk është përparësi, kut them për ne mendoj për komunitetin serb, pavarësia si pavarësi. Për ne më me rëndësi është jeta e qëndrueshme në Kosovë. Ne jemi të gatshëm të jemi dhe të marrim pjesë në institucionet e sistemit në Kosovë, por nuk është përparësi pavarësia. Për këtë do të mendojnë ekipet e negociuesve të Prishtinës, Beogradit, komunitetit ndërkombëtarë dhe kjo do të zgjidhet në një shkallë më të lartë në të cilën ne nuk mund të ndikojmë. Ne për këtë nuk angazhohemi dhe nuk mendojmë për të. Për ne është parësore jeta e njeriut të thjeshtë në terren.

XS
SM
MD
LG